Komuna e Drenasit shënon muajin ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit
Aktiviteti është mbajtur fillimisht në sallën e Kuvendit dhe takimin e ka hapur Koordinatorja e njësitit për të drejtat e njeriut në kuadër të Zyrës për Barazi Gjinore, Zahrie Podrimqaku-Subashi e cila tha se në kuadër të shënimit të muajit rozë, që ka për qëllim sensibilizimin dhe parandalimin kundër kancerit të gjirit, janë mbajtur disa aktivitete nga Komuna e Drenasit. “Në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër kancerit të gjirit, si dhe vazhdën e aktiviteteve që po mbahen për parandalimin e kësaj sëmundje, gjatë muajit janë mbajtur dhjetëra aktivitete, në shkolla, në hapësira publike dhe sot në këtë ligjëratë. Ju falënderoj të gjitha pjesëmarrjet që po mbështesni dhe po i jepni rëndësi kësaj nisme, dhe pse kjo është më e pakta që mund të bëhet për shëndetin e jetës dhe shoqërisë, siç është gruaja”, ka thënë ndër të tjera Podrimqaku.
Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Lumnije Krapi, tha se ky muaj synon të shpërndajë informacion për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje, të gratë dhe burrat në gjithë botën. Drejtoresha Krapi tha se QKMF-ja ka mamografin falas për të gjitha gratë e Komunë së Drenasit.
Të pranishmëve ju është drejtuar më një fjalë rasti edhe Kryetarja e Grupit të Grave Asambleiste, Valentina Leku-Gashi.
Ligjëratë para të pranishmëve e ka mbajtur Dr.PhD can.Fatbardha Tahiraj e cila tha se për dallim nga viti 2022, këtë vit kemi një ulje të ndjeshme te të prekurit nga kanceri i gjirit. Doktoresha Tahiraj ka prezantuar edhe shkaqet që vien deri në prekjen e kancerit të gjirit, masat që duhet të merren dhe kujdesin e shtuar për të parandaluar këtë sëmundje.
Rrëfim nga jeta personale kundër të kancerit të gjirit, që e ka mundur kancerit, para të pranishmëve ka treguar Fahrije Hykolli.
Pas takimit në sallën e Kuvendit, për nder të shënimit të këtij muaji, ka vazhduar ecja tradicionale me moton “një hap kundër kancerit të gjirit” në qytet deri në sheshin “Fehmi Lladrovci”.
Ky takim është organizuar nga KNJKDNJ, ZBGJ në bashkëpunim me Grupin e Grave Asambleiste, Komitetin për Barazi Gjinore dhe OJQ-të e Drenasit, ndërsa merrnin pjesë, zonja e parë e Komunës, Shemsije Lladrovci, anëtarët e Kuvendit, gra, përfaqësues të OJQ-ve dhe qytetar e qytetare të tjera nga Komuna e Drenasit.
Ky manifestim tradicional, ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për rrezikun nga kanceri i gjirit si dhe nxitjen e institucioneve përgjegjëse për krijimin e kushteve me të mira për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit në Kosovë.