Kryetari Lladrovci priti në takim drejtorin e Zyrës Regjionale të OSBE-së në Mitrovicë, Nikolaos Kavallaris-Ladis
Kryetari Lladrovci, ka uruar mirëseardhje drejtorit Ladis dhe ka falënderuar për punën e kësaj organizate shumë të rëndësishme për shtetin tonë dhe politikat që e mbulojnë qeverisjen lokale. Lladrovci e ka njoftuar Kavallaris Ladis për instalimin e barazisë gjinore në Drenas, projektet që janë zhvilluar, ato që janë duke u zhvilluar dhe për projektet e rëndësishme që pritet të realizohen gjatë viteve në vazhdim.
“Jemi kampion të qeverisjes së mirë, transparente, llogaridhënëse, me respektim të barazisë gjinore në pushtetin lokal dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje. Drenasi ka përmbushur 12 Parimet e Këshillit të Evropës për Qeverisje të Mirë Demokratike dhe për këtë jemi shpërblyer nga Shoqata Evropiane për Demokraci Lokale”, ka thënë kryetari Lladrovci duke njoftuar të pranishmin edhe për sfidat që na sjellin projektet e filluara, por të papërfunduara me vite nga niveli qendror, projektet me kosto të lartë e të papërballueshme për komunën, ruajtjen e ambientit, ujin e pijes, kolektorët, ruajtjen e pronës publike, etj.
Nikolaos Kavallaris-Ladis ka falënderuar kryetarin Lladrovci për mikpritjen dhe prezantimin e të arriturave dhe sfidave të pushtetit lokal në Drenas, dhe ka ofruar bashkëpunimin në pajtim me misionin e OSBE-së, zhvillimin e institucioneve demokratike, pjesëmarrje qytetare në vendim-marrje, deri te promovimi i të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Në fund, në shenjë mirënjohje, kryetari Lladrovci ka dhuruar një medaljon të punuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.