Mbahet konsultimi publik për Draft-Hartimin e Programit Komunal për Banim Social 2023-2025 në Komunën e Drenasit
Hapjen e konsultimit publik të këtij dokumenti, para të pranishmëve e ka bërë Bekim Dobra, udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun, i cili tha se Hartimi i Programit Komunal për Banim Social 2023-2025 është ndarë me të gjithë qytetarët e Komunës, pasi që është publikuar edhe në rrjetin social të komunës, në platformën e konsultimeve publike dhe në ueb faqen zyrtare të komunës si dhe janë dhënë adresat se ku qytetarët mund të japin komentet, sugjerimet ose propozimet e tyre. Ndërsa Shefja e sektorit të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Lumturije Kiqina – Plakaj ka bërë prezantimin e këtij dokumenti, ku edhe ka treguar për synimet, objektivat dhe aktivitetet e komunës për miratimin e këtij dokumenti.
“Hartimi i Programit Komunal për Banim Social 2023-2025 është hartuar nga Grupi Punues i formuar me vendim të Kryetarit të Komunës dhe pjesë e grupit kanë qenë zyrtarë të komunës. Të gjitha komentet dhe sugjerimet e dhëna, janë inkorporuar në këtë plan, të cilin e kemi publikuar me kohë edhe në të gjitha platformat informuese dhe nëse keni ndonjë koment ne do ta marrim parasysh dhe do të diskutojmë me anëtarët e grupit punues”, ka thënë mes tjerash Kiqina.
Në këtë diskutim publik, kanë marr pjesë qytetarë, administrator të vendbanimeve si dhe banues të objekteve sociale ku edhe kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre në hartimin e këtij programi.
Draft-Hartimi i Programit Komunal për Banim Social 2023-2025 është ende i hapur për të dhënë komentet qytetarët, deri të miratohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës. Draft dokumentin e gjeni në ueb faqen e komunës.