Decentralizimi i la pa shkollë shqiptarët e Suhadollit të Graçanicës
Nxënësit shqiptarë të këtij fshati, që gjendet në jugperëndim të qytetit të Graçanicës, duhet të ndjekin mësimin në një komunë tjetër. Fshati i tyre, që pas decentralizimit ka mbetur nën administrimin e komunës së vogël që udhëhiqet nga serbët, rreth 20 kilometra larg qytetit, nuk ka shkollë shqipe.
Për të mos mbetur analfabetë, ata duhet të udhëtojnë në Lipjan për të mësuar në shkollat e këtij qyteti, shkruan sot Koha Ditore.
Dymbëdhjetëvjeçarja Fjolla Vehapi do të donte të kishte shkollën në fshatin e saj. Por tash për tash kjo mbetet vetëm një ëndërr e saj. Jo pse nuk ka shkollë në këtë fshat, por ajo është e hapur vetëm për serbët.
Po kam qef me pas shkollën këtu... Në Lipjan bëjmë diku 30 minuta me ecë këmbë deri në shkollë. Ndërsa me kombibus shkojmë ma shpejt, thotë ajo.
Shkuarja në shkollë në një komunë tjetër po konsiderohet absurde nga banorët shqiptarë të Suhadollit. Avni Vehapi thotë se do të duhej që të mbeteshin me Lipjan, pasi edhe ashtu disa dokumente u kanë mbetur me këtë komunë. /Koha Ditore/