Komuna e Graçanicës, 100 mijë euro për tri autoambulanca
Hapja e tenderëve për këtë proces prokurimi do të bëhet më 28 shtator të këtij viti
Komuna Graçanicës do ti shpenzojë 100 mijë euro për furnizim me tri autoambulanca. Para tre ditësh Zyra e Prokurimit e kësaj Komune, ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) njoftimin për shpallje të tenderit për furnizim me autoambulanca.
Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të KRPP-së thuhet se operatori ekonomik (OE) që dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi të prokurimit duhet ti përmbushë kërkesat mbi përshtatshmërinë në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-042, Neni 65.
Zyra e Prokurimit ka kërkuar nga OE një dokument nga Administrata Tatimore e vendit të themelimit të kompanisë, e cila dëshmon se kompania nuk është në vonesë për pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës, si dhe një dokument i lëshuar nga gjykata kompetente që vërteton se operatori ekonomik i përmbush kërkesat e përshtatshmërisë, shkruan gazeta Zeri.
Ky dokument duhet të jetë i lëshuar së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës.