Komuna e Graçanicës fton për legalizim të objekteve
Nëpërmjet një njoftimi për media të kësaj komune, thuhet se Drejtoria për Planifikim Urban, Gjeodezi dhe Mbrojtje të Mjedisit u kërkon banorëve të aplikojnë për legalizim që të mund pastaj të shënojnë si pasuri të patundshme objektet e tyre.
Kërkesat për legalizim bëhen për shtëpi individuale banimi deri në 100 m2 dhe ndërtesa bujqësore deri në 400m2, për shtëpi private nga 100 m2 deri në 450 m2 dhe ndërtesa tregtare që nuk tejkalojnë një kat apo sipërfaqe prej 10.000 m2 dhe objektet banesore dhe ndërtesat komerciale.
Zyrtarët komunalë po ashtu kanë thënë se aplikacionet duhet të dorëzohen në Komunën e Graçanicës dhe se për udhëzime më të hollësishme për legalizim mund të shikojnë në këtë njoftim që është në ueb-faqen e Komunës.
Periudha apo afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 16 mars 2016.
Vitin e kaluar, kur kishte përfunduar afati për kërkesat për legalizim, zyrtarët komunalë të Graçanicës kishin thënë se ishin paraqitur gjithsej 2.900 kërkesa për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Duke iu referuar Departamentit të Urbanizmit, Planifikimit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Zyra për informim e Komunës së Graçanicës njoftonte se rreth 70 për qind e pronarëve të objekteve banesore dhe afariste në territorin e Komunës së Graçanicës kanë aplikuar për legalizim./Kohanet