Vetëm një Shqiptar i punësuar në Komunën e Graçanicës

GraçanicëPostuar: 14:09 / 04.12.2015

Zyrtarë të PDK-së së Graçanicës nuk kanë parë ndonjë ndryshim pozitiv për komunitetin shqiptar në këtë komunë.

Përfaqësuesi i saj, Arton Smajli, në një bisedë për “Kohën Ditore”, ka thënë se kryetari aktual, Vladeta Kostiq, ka shprehur vullnet për bashkëpunim, por se deri tashti asgjë nuk është konkretizuar.

Sipas Smajlit, punësimi për shqiptarët ende mbetet sfidë për pushtetin në Graçanicë.

“S’ka ndonjë ndryshim pozitiv për qytetarët shqiptarë që ne mund ta theksojmë. Ne kemi pas disa takime me Vladeta Kostiq dhe duket se ekziston një vullnet i mirë për bashkëpunim,mirëpo deri tashti ka munguar konkretizimi.

Ne kemi shprehur brengen tonë se edhe pse jemi komuniteti i dytë nga numri i banorëve, në Komunë ne kemi vetëm një shqiptar të punësuar dhe 2 të tjerë me kontratë në vepër dhe kjo tregon gjendjen reale qe jemi”, ka theksuar Arton Smajli.

Ai thotë se si Parti Demokratike mendojnë se edhe qeverisja e Kostiqit nuk ka ndonjë ndryshim të theksuar me qeverisjen e mëparshme të udhëhequr nga Branimir Stojanoviqi i Listës Serbe.