Ka filluar mbajtja e dëgjimeve buxhetore në Komunën e Hanit të Elezit
Sot, me datë 14.08.2023, duke filluar nga ora 13:30, në Han të Elezit u mbajt dëgjimi i parë buxhetor me shoqatën Handikos mbi planifikimet buxhetore për vitin 2024, si dhe parashikimet për vitet 2025-2026. Kurse, nga ora 15:00, u mbajt dëgjimi i dytë buxhetor i dedikuar për gratë.
I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, i cili e kishte fjalën hyrëse, ku edhe vlerësoi se kontributi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm në hartimin e projekteve kapitale dhe kategorive tjera buxhetore. Draft buxheti për vitin 2024 për Komunën e Hanit të Elezit dhe parashikimet për vitet 2025-2026 u përgatit nga Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Lindita Ballazhi, e cila potencoi se buxheti paraqet një instrument shumë të rëndësishëm financiar, në të cilin specifikohen të hyrat dhe shpenzimet për një periudhë të caktuar kohore një vjeçare, duke filluar nga 1 janar deri në 31 dhjetor. Drejtoresha Ballazhi paraqiti edhe burimet e financimit komunal, ku, buxheti komunal për vitin 2024 në bazë të Qarkores së dytë do të jetë në shumë prej 3,349,278 €.
Pjesë e prezentimit ishte edhe planifikimi i të hyrave, mënyra se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit nëpër të gjitha kategoritë e buxhetit, si dhe u bë prezentimi i projekteve kapitale.
Këto dy Dëgjime Buxhetore ishin të një rëndësie të madhe, pasi që në këto takime, shoqata e Handikos dhe të tjerët e pranishëm kishin mundësinë që përveçse të njoftohen me draft buxhetin e vitit 2024, po ashtu kishin mundësinë edhe të jepnin ide e të propozonin projekte dhe investime të cilat atyre iu duken të arsyeshme dhe me leverdi për komunitetin tonë.
Të gjitha diskutimet dhe propozimet në këto takime do të merren parasysh dhe janë të paraqitura në procesverbalin e Dëgjimeve Buxhetore.- thuhet në njoftimin e komunës së Hanit të Elezit.