Mbahet debati i dytë publik lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore në Han të Elezit
Ky debat u prezentua nga Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Lindita Ballazhi, e cila potencoi se kjo kornizë është dokument bazik i nivelit të lartë strategjik komunal, që do të pasqyrojë caqet e përgjithshme të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, si dhe strukturën përkatëse sipas kategorive ekonomike, për të përmbushur objektivat e përcaktuara me Strategjinë zhvillimore afatmesme komunale.
Pjesë e prezentimit ishte edhe planifikimi i të hyrave, mënyra se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit nëpër të gjitha kategoritë e buxhetit, si dhe u bë prezentimi i projekteve kapitale.
Ky Debat Publik ishte i një rëndësie të madhe, pasi që në këto takime, banorët e Hanit të Elezit me rrethinë kishin mundësinë që përveçse të dëgjonin draft planifikimin buxhetor, po ashtu kishin mundësinë edhe të jepnin ide e të propozonin projekte dhe investime të cilat atyre iu duken të arsyeshme dhe me leverdi për komunitetin tonë.
Të gjitha diskutimet dhe propozimet në këto takime do të merren parasysh dhe janë të paraqitura në procesverbalin e Debatit Publik.
Komuna e Hanit të Elezit falënderon përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në debatin publik mbi KAB 2024-2026.