Mbahet Debati Publik lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore në Komunën e Hanit të Elezit
I pranishëm ishte edhe Nënkryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Sevdi Dernjani, i cili kishte fjalën hyrëse, ku edhe vlerësoi se kontributi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm në hartimin dhe pasurimin e këtij dokumenti financiar komunal dhe bëri thirrje që këto debate publike të këtij lloji të ndiqen sa më shumë nga banorët e Komunës tonë. Nënkryetari Dernjani tha se Korniza Afatmesme Buxhetore 2024-2026 përmban planifikimin buxhetor për vitin 2024 dhe parashikimet buxhetore apo vlerësimet e hershme për vitet 2025-2026.
Korniza Afatmesme Buxhetore 2024-2026 u përgatit dhe u prezentua nga Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Lindita Ballazhi, e cila potencoi se kjo kornizë është dokument bazik i nivelit të lartë strategjik komunal, që do të pasqyrojë caqet e përgjithshme të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, si dhe strukturën përkatëse sipas kategorive ekonomike, për të përmbushur objektivat e përcaktuara me Strategjinë zhvillimore afatmesme komunale. Drejtoresha Ballazhi gjithashtu potencoi se buxheti komunal i Hanit të Elezit përbëhet nga katër burime kryesore, të cilat janë: Granti i përgjithshëm Qeveritar, Granti specifik i Arsimit, Granti specifik i Shëndetësisë si dhe të hyrat vetanake komunale. Pra, buxheti komunal për vitin 2024 në bazë të qarkores fillestare do të jetë 3,349,278.00€. Ajo gjithashtu prezentoi edhe lartësinë e burimeve të financimit të buxhetit Komunal, si vijon:
-Grantin e Përgjithshëm, për vitin buxhetor 2024 parashikohet të jetë në vlerë prej 1,583,941.00 €;
-Grantin Specifik për Arsim, për vitin buxhetor 2024 do të arrijë vlerën prej 1,089,623.00 €;
-Grantin Specifik për Shëndetësi, për vitin buxhetor 2024 parashihet të jetë në në vlerë prej 401,338.00 €;
-Projeksionet e të hyrave vetanake nga komunat, për vitin buxhetor 2024 parashihet të arrijnë vlerën prej 274,376.00 €.
Pjesë e prezentimit ishte edhe planifikimi i të hyrave, mënyra se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit nëpër të gjitha kategoritë e buxhetit, si dhe u bë prezentimi i projekteve kapitale.
Nga ora 13:00, Debati Publik u zhvillua në objektin e Komunës Hani i Elezit, ku morën pjesë gjithsej.
Ky Debat Publik ishte i një rëndësie të madhe, pasiqë në këto takime, banorët e Hanit të Elezit me rrethinë kishin mundësinë që përveçse të dëgjonin draft planifikimin buxhetor, poashtu kishin mundësinë edhe të jepnin ide e të propozonin projekte dhe investime të cilat atyre iu duken të arsyeshme dhe me leverdi për komunitetin tonë.
Të gjitha diskutimet dhe propozimet në këto takime do të merren parasysh dhe janë të paraqitura në procesverbalin e Debatit Publik.
Komuna e Hanit të Elezit falënderon përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në debatin publik mbi KAB 2024-2026.