Salihu: Procesi i përmbushjes së obligimeve nga komunat për MSA, ende në fazën teorike
Obligimet që kanë komunat në përmbushjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) ende janë në fazën teorike.
Komunat kanë 146 veprime për t’i përmbushur nga MSA. Gjendja në terren tregon se disa hapa janë bërë nga komunat për ta përmbushur MSA, megjithëse do të fazën e vështirësive dhe se ngecjet do të jenë të mëdha. Kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia-ks.com, hulumtuesi i lartë në Institutin GAP, Bekim Salihu.
Ai tutje ka theksuar se vështirësi të deritanishme në përmbushjen e MSA ka dalë të jenë reforma e administratës publike në nivel lokal, mbrojtja e trashëgimisëkulturore, mbrojtja e tokës bujqësore dhe resurseve pyjore, zbatimi irekomandimeve të auditorit si dhe mbrojtja e shëndetit publik.
Z.Salihu Instituti GAP se fundmi ka nxjerr një raport lidhur me zbatimin e MSA nga niveli lokal, ku qëndron ky nivel i pushtetit në përmbushjen e kësaj marrëveshje?
Si Institut kemi dashur të shohim se cilat janë obligimet që kanë komunat në përmbushjen e MSA dhe cilat janë të arriturat, ngecjet dhe problemet në këtë mes. Komunat kanë 146 veprime për t’i përmbushur nga MSA.
Këto obligime janë saktësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrin e Integrimit Evropian.
Gjendja në terren tregon se disa hapa janë bërë nga komunat për ta përmbushur MSA, por akoma procesi i përmbushjes se MSA është në fazën teorike, akoma nuk kemi dal të gjendja praktike.
Kur të kalojmë në ketë fazë vështirësitë dhe ngecjet do të jenë më të mëdha. Pra nëse MSA parasheh që komunat të hartojnë një rregullore për fëmijë dhe kjo rregullore miratohet, atëherë konsiderohet që është plotësuar ose përmbushur një kusht i MSA, por në faza tjera do të shikohet nëse rregullorja e njëjtë po gjen zbatim në terren dhe po jep rezultatet e synuara.
Shikuar në tërësi të arriturat me të mëdha të komunave në përmbushjen e MSA janë themelimi dhe inkuadrimi i minoriteteve në këshillat për siguri në bashkësi, zbatimi i obligimeve ligjore në përdorimin e gjuhëve zyrtare, ndërmarrja e masave në mbrojtjen e të dhënave personale, evidentimi i shkallës së braktisjes së shkollës nga nxënësit, largimi i deponive të egra nga zonat e banuara si dhe e arritur tjetër vlerësohet hartimi i planeve komunale në efiçiencë të energjisë.
Ndërsa nëse flasim për ngecje ose vështirësi të deritanishme në përmbushjen e MSA ka dal të jenë reforma e administratës publike në nivel lokal, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e tokës bujqësore dhe resurseve pyjore, zbatimi i rekomandimeve të auditorit si dhe mbrojtja e shëndetit publik.
Z.Salihu a janë komunat e përgatitura për këtë proces?
Komunat nuk ofrojnë praktika ose menaxhim unik të këtij procesi. Disa komuna kanë zyre për integrime evropiane, disa kanë vetëm zyrtar për integrime evropiane, disa komuna kanë drejtori për integrime evropiane, ndërsa tani se voni një komunë ka krijuar zyre për marrëdhënie ndërkombëtare dhe brenda saj e ka paraparë edhe zyrtarin për integrime evropiane.
Për veç kësaj disa komuna zyrtarët për integrime evropiane i paguajnë me koeficient 9.5, disa tjera me koeficient 6.
Në disa komuna zyrat për integrime evropiane kanë deri në katër persona të punësuar, ndërsa në shumicën e zyrave tjera kanë vetëm nga një zyrtar të punësuar.
Zyrtarët për integrime evropiane në shumicën e rasteve janë të shtyrë në moshë, nuk njohin gjuhet e huaja dhe trajnimet që i marrin nuk janë adekuate për funksionet që kryejnë.
Komunat do të ishin shumë me mirë në menaxhimin e këtij procesi nëse do të zbatonin ose respektonin rregulloren e zyrës se kryeministrit të qeverise se Kosovës 08/2011 e cila rregullore është nxjerr për ta rregulluar nivelin lokal të pushtetit kundruall agjendës integruese të vendit. Kjo rregullore përgjithësisht është shpërfillur nga komunat.
Shembull rregullorja saktëson ose kërkon që gjithë zyrtarët për integrime evropiane në komuna të jenë të ftuar dhe të përfaqësuar në takimet që thërret kryetari i komunës që kanë për qellim vendimmarrjen, por në praktik kjo nuk respektohet.
Zyrtarët për integrime as nuk ftohen dhe as nuk përfaqësohen. Për veç kësaj zyrtarët për integrime obligohen të shkojnë nga dera në derë nëpër drejtori komunale për të marr informata në lidhje me atë se çka po ndërmerret në fushat cilat janë edhe obligime të MSA.
Z.Salihu procesi i integrimit evropian përgjithësisht kuptohet si proces që i takon nivelit nacional, jo edhe atij lokal, a mund të ndodh që komunat janë ngarkuar pa të drejt edhe me këtë proces?
Jo komunat nuk janë ngarkuar pa të drejtë, ngase janë disa të drejta e kompetenca që i takojnë ekskluzivisht nivelit lokal të pushtetit. Pajtohem që ekziston përshtypje që procesi i integrimit evropian e rrjedhimisht nga kjo përmbushja e kushteve dhe obligimeve në këtë rrugëtim është përgjegjësi vetëm e nivelit nacional. Por kjo është gabim.
Komunat nuk janë përgjegjëse vetëm të rasti i MSA-së. Nga 95 kritere ose obligime që ka pasur t’i përmbush Kosova për liberalizim të vizave 27 nga to kanë qenë detyra ose përgjegjësi e nivelit lokal.
Për veç kësaj komunat qysh në 2012 janë angazhuar në procesin e riatdhesimit dhe ri integrimit të personave që u është refuzuar azili në shtetet e BE-së.
Po ashtu komunat në vazhdimësi kanë pasur përgjegjësi për t’i përmbushur disa nga rekomandimet që ka nxjerr Komisioni Evropian nëpërmjet raporteve të vendit.
Pra nga kjo po kuptohet se niveli i detyrave dhe përgjegjësive që kanë pasur dhe që do të vazhdojnë të kenë komunat në përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda integruese e vendit është e rëndësishme.
Ky dimension duhet të kuptohet si i tillë edhe nga niveli qendror, ngase ka pasur raste kur ky nivel i pushtetit e ka nënvlerësuar dhe anashkaluar kontributin e nivelit lokal në agjendën integruese të vendit. /InfoKomuna/