Komuna e Junikut përfituese e grantit për projektin "Mirdita Junik: Nxitja e Zhvillimit të Turizmit të Qëndrueshëm ndërkufitar"
Ky grant, i siguruar nga Bashkimi Europian, program Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë, pjesë e IPA II, do të luajë një rol kyç në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, me fokus të veçantë në Komunën e Junikut dhe Komunën e Mirditës.
Projekti "Mirdita Junik" synon të promovojë turizmin në rajonin ndërkomunal, me një fokus kryesor në përmirësimin e infrastrukturës së turizmit lokal, krijimin e mundësive për punësim për rininë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të këtij rajoni. Projekti synon të sjellë ndryshime pozitive duke përmirësuar shtigjet ekzistuese, duke ruajtur dhe integruar trashëgiminë kulturore dhe natyrore, duke nxitur bashkëpunimin mes palëve të ndryshme dhe duke fuqizuar komunitetet lokale për të përfshirë aktivisht në aktivitetet e lidhura me turizmin.
Ky moment përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet tona për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, për të fuqizuar komunitetet lokale dhe për të përmirësuar përvojën e përgjithshme të turizmit në rajonet e bukura të Junikut në Kosovë dhe Mirditës në Shqipëri.
Komponentët kyç të projektit përfshijnë:
• Zhvillimi i Shtigjeve: Përmirësimi i shtigjeve ekzistuese me theks në integrimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore
• Përgatitje për tregun e punës: Sigurimi i trajnimeve dhe zhvillimit të aftësive për të rinjtë, duke i mundësuar ata të kenë qasje në mundësitë e punës në industrinë e turizmit.
• Përmirësimi i Infrastrukturës: Përmirësimi i infrastrukturës së turizmit, duke përfshirë shtigjet dhe pikat e interesit.
• Përfshirja e Komunitetit: Krijimi i partneriteteve mes industrisë së turizmit dhe komuniteteve lokale për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për të promovuar vlerat lokale.
• Sinergjia ndërkomunare: Bashkëpunimi me iniciativat rajonale si "Majat e Ballkanit" dhe "Via Dinarica" për të shfrytëzuar praktikat më të mira në menaxhimin dhe qëndrueshmërinë e shtigjeve.
Ky grant do t’i mundësojë CHwB Kosova, Komunën e Junikut, Komunën e Mirditës dhe Qendrën UET për të realizuar këto veprime transformuese, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë dhe ndikimit pozitiv të projektit. Projekti nis më 15 janar 2024 dhe do të zgjasë 24 muaj.