Kryetari Shehu mbajti takimin e parë publik me qytetarë
Në takimin e mbajtur në sallën e kuvendit komunal ishin një numër i kënaqshëm i qytetarëve të cilët shpalosën nevojat dhe projektet e tyre.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u trajtua ishte kanalizimi i ujërave të zeza dhe kanalet e ujitjes.
Kryetari informoi qytetarët për planet dhe hapat që janë marrë për ndërtimin e sistemit të kanalizimit ne lagjet Qendër, Bajraktar, 7 Shtatori, Krasniq, duke adresuar çështjet e higjienës dhe shëndetit publik në komunë. Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve.
Në lidhje me mirëmbajtjen e rrugëve, kryetari Shehu theksoi se ka marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve. Ai premtoi që propozimet dhe sugjerimet e tyre do të merren parasysh në planifikimin e buxhetit të ardhshëm komunal, duke siguruar një rritje të investimeve në këtë fushë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore.
Prania e një numri të kënaqshëm të qytetarëve në takim tregoi angazhimin dhe interesin e tyre për të kontribuar në planifikimin e komunës së tyre. Kryetari i Komunës u zotua se do të ndjekë dhe të përfshijë propozimet e tyre në planet e tij të punës, duke e bërë kështu procesin vendim marrës më demokratik dhe transparent. Qytetarët e Junikut u inkurajuan të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në përmirësimin e komunës së tyre dhe të monitorojnë zbatimin e projekteve të parashikuara.