Dhjetëra projekte kapitale për vitin 2023 në zonën urbane në Kaçanik
Në takim u bë e ditur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Urbanizmit se në zonën urbane do të investohet në dhjetëra projekte kapitale për vitin 2023.
Drejtori Ramadush Osmani tha se punimet janë duke vazhduar në ndërtimin e sheshit të qytetit ( faza e dytë), në rehabilitimin e dy shëtitoreve ( Faza e dytë), rregullimi i rrugës “ Idriz Seferi”e po ashtu investime do të bëhen edhe në kuadër të projektit për rregullimin e ndriçimit publik, të rrjetit të kanalizimit, të rrjetit të ujësjellësit si dhe të rregullimit të hapësirave publike.
Ndërkohë, Drejtori Qamil Stagova njoftoi se tashmë kanë filluar punimet në ndërtimin e nënkalimit për këmbësor, kurse së shpejti pritet të fillojnë punimet në ndërtimin e qarshisë së qytetit, rregullimi i urës mbi lumin Nerodime, si dhe do të bëhet edhe rregullimi i disa rrugëve lokale.
Projektet do të realizohen nga buxheti komunal, ndërsa projekti i rregullimit të rrugës “ Idriz Seferi” është në bashkëfinancim me nivelin qendror. Gjatë këtij takimi po ashtu u diskutuan edhe planifikimet tjera javore që parashihen të realizohen gjatë javës.