Finalizohet Projekt dokumenti “Plani për Veprim në Mjedis” në Komunën e Kaçanikut
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, i cili falënderoi anëtarët e grupit për punën e realizuar, ndërsa shtoi se Komuna e Kaçanikut ka bërë disa hulumtime ne terren, për caktimin e lokacionit për mbeturinat inerte, por që ende nuk është definuar.
Zyrtarja komunale për mbrojtje të mjedisit, Arditë Shehu- Udhëheqëse e grupit punues tha se plani është një dokument ku të dhënat dhe analizat trajtohen fillimisht në nivel strategjik për të vazhduar tutje me propozimet përmirësuese edhe në nivel të planit të veprimit. Përtej trajtimit të mjedisit në përgjithësi, në rastin tonë do të ketë fokus të veçantë edhe profili ujor për trajtim.
Valon Raka- drejtor në Organizatën “ Gjethi” shpalosi disa detaje nga ky draft dokument, duke shtuar se i njëjti do të aprovohet edhe në kuvend, pas kryerjes së procedurave të nevojshme për konsultime publike.
Grupi punues është formuar pas konsultave paraprake për nevojat e ekspertizës në lidhje me dokumentin, dhe krejt kjo është formalizuar me vendim të Kryetarit, ndërsa përbëhet nga zyrtarë komunal si dhe përfaqësues nga Organizata “ Gjethi”.
Hartimi i PLVM-së mbështetet nga Projekti “Shijoni Lumenjtë e Pellgut të Lepencit” i implementuar nga Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Gjethi dhe i financuar nga Programi IWRM-K dhe Komuna e Kaçanikut.
IWRM-K është Program i Agjencisë Zvicrane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i Qeverisë së Kosovës, i implementuar nga Skat Consulting Ltd. (Zvicrra) në konsorcium me Agjencinë e Mjedisit Austria (EAA).