Investimet komunale në Kaçanik po realizohen edhe në rrjetin e ujësjellësit
Në kuadër të projektit "Ndërtimi i rrjeteve të ujësjellësit" do të investohen 144,941.60€, për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit në lokalitetet Kaçanik, Ivajë, Bajnicë dhe Kaçanik i Vjetër.
Drejtori për Shërbime Publike, Ramadush Osmani tha se tashmë punimet e kësaj kontrate janë finalizuar në fshatin Bajnicë, ku është investuar në shtimin e kapaciteteve të ujit përmes sistemit të pompimit nga burimi i këtij fshati dhe punimet po vazhdojnë me intensitet të shtuar në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Ivajë-faza e II-të.
Më pas do të vazhdohet në shtrirjen e rrjetit të ri në rr. "Reshat Shehu"-Kaçanik dhe kyçjen e rrjetit në rr. "Avdurrahim Shehu" dhe hapjen e një pusi shtesë (te stacioni i pompimit të ujësjellësit Kaçanik i Vjetër dhe Begracë) për shtim të kapacitetit të ujit në këtë rrjet.
Ky investim është i planifikuar me buxhetin komunal dhe do të kryhet brenda vitit 2023.