Kaçanik: Kuvendi Komunal shqyrton Raportin e Auditimit për vitin 2015

KaçanikPostuar: 16:00 / 11.11.2016

Po ashtu, anëtarët e Kuvendit e kanë miratuar Propozim Vendimin për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore të pronës së Avdush Hasip Dema dhe kanë shqyrtuar edhe Informatën e DAK-së për përfundimin e vitit shkollor 2015/2016. Bahri Selimi, drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit e ka shpalosur Raportin e Auditimit dhe Planin e hartuar nga drejtoria që udhëheq ai për zbatimin e rekomandimeve të dala nga procesi i auditimit.

Ai ka thënë se në Raport janë prezantuar të gjeturat e Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2015. Opinioni final i Kompanisë e cila e ka kryer auditimin është i kualifikuar me gjithsej 16 të gjetura, ndërkohë që Komuna nuk është pajtuar me shumicën e të gjeturave duke ofruar me kohë komentet dhe kundër argumentet ndaj të gjeturave të evidentuara.

Megjithatë, pas publikimit të Raportit final, Komuna ka ndërmarr hapat për zbatimin e Rekomandimeve të Auditorit, duke hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e Rekomandimeve. Sipas drejtorit Selimi në Plan janë specifikuar të gjitha aktivitetet që duhet ndërmarr, kohën e përcaktuar për implementimin e tyre dhe përgjegjësit përkatës të cilët do të angazhohen për zbatimin e rekomandimeve te dala nga Raporti i Auditimit të Jashtëm.

Tahir Çaka (AAK) e ka vlerësuar Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandive, ndërsa kërkoi zbatimin e tyre me përpikëri, ndërsa Shukri Luta (BD) dhe Artan Shehu (LDK) i kanë komentuar të gjeturat e auditorit të evidentuara në Raportin e Auditimit për vitin 2015.

Ndërkaq, Xhelal Gashi, kryesues i KK-së ka thënë se duhet të bëjmë përpjekje maksimale për zbatimin e Planit të Veprimit me qëllim të eliminimit të të gjeturave, e Kemal Murseli (PDK) theksoi se Raporti duhet të vlerësohet profesionalisht e jo duke dhënë vlerësime politike, ndërkohë që u shpreh se të gjeturat na shqetësojnë të gjithëve. Plani i Veprimit për zbatimin e rekomandimeve u miratua me votim unanim me vetëm një abstenim.

Ndërkaq, Informatën për përfundimin e vitit shkollor 2015/16 e ka shpalosur Enver Kamishi, drejtor për Arsim e Kulturë. Kamishi ka theksuar se përmes kësaj informate, Drejtoria e Arsimit dhe Kulturës ka prezantuar gjendjen e përgjithshme në sferën edukativo-arsimore në nivelet shkollore 0,1,2 dhe 3 (Para Fillor, Arsimi Fillor, Arsimi i Mesëm i Ulët dhe Arsimi i Mesëm i Lartë) të komunës sonë për vitin shkollor 2015/2016 duke përfshirë suksesin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, notën mesatare sipas niveleve dhe sipas shkollave, orët e pa mbajtura të nxënësve e arsimtarëve në fund të vitit shkollor 2015/2016, mesataren e orëve të humbura për kokë nxënësi e kokë arsimtari e të dhëna tjera karakteristike për 4 nivelet arsimore që zhvillohen në Komunën tonë, dhe që është kompetencë e nivelit lokal.

Po ashtu, përmes këtij dokumenti është ofruar një pasqyrë e përgjithshme dhe një analizë e gjendjes duke ofruar në fund edhe rekomandimet për përmirësim e gjithashtu pjesë e kësaj Informatë janë edhe vlerësimet e jashtme të semimaturantëve dhe maturantëve, garat e diturisë të brendshme e jashtme etj, tha mes tjerash Kamishi.

Basri Kodra (I pavarur) duke komentuar Informatën tha se vijimi i nxënësve dhe arsimtarëve nuk është i rregullt përderisa përmendi edhe sjellje tjera jo të mira të nxënësve në shkolla, ndërsa Selim Reka (LDK) tha se i gëzohemi rezultateve të arritura por duhet punuar në zvogëlimin e mungesave. Ai u shpreh kundër fryrjes së suksesit nëpër shkolla, ndërsa shtoi se pajisja edhe me mjete tjera shkollore do të ndikonte në përmirësimin e suksesit.

Për vlerësimin e nxënësve me nota të larta ka folur edhe Shukri Luta (BD), ndërsa Kemal Murseli PDK) ka theksuar se në shkollat ku numri i nxënësve është i vogël e që punohet me klasë të kombinuara (paralelet e ndara në vende rurale) nuk ka as mësim kualitativ./InfoKomuna/