KFOR-i Italian dhuron dy tabela digjitale për Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Kaçanik

KaçanikPostuar: 16:51 / 13.06.2023

Donacionin e pranoi drejtoresha e kësaj shkolle, Diana Reka, e cila në emër të stafit arsimor dhe në emër të nxënësve të shkollës, falënderoi për donacionin KFOR-in Italian. Tutje ajo shtoi se këto tabela digjitale janë një dhuratë e çmuar për shkollën, marrë parasysh kohën digjitale në të cilën ne po jetojmë dhe po rriten nxënësit.

Ndërkohë, përfaqësuesit e KFOR-it Italian nga regjioni perëndim, thanë se të investosh në të rinjtë, nënkupton të investosh në të ardhmen.

Identifikimi i nevojave për projekte të tilla u bë nga KFOR-i polak LMT.

Komuna e Kaçanikut, përmes Drejtorisë së Arsimit tashmë ka filluar të vendos tabela të tilla digjitale edhe nëpër shkolla të tjera.
 
Zyrtari komunal për Arsim Hajrush Dullovi tha se janë vendosur 8 copë Tabela Interaktive – digjitale për shkolla dhe atë: 2 copë në Gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, 2 copë në IAAP “Feriz Guri dhe vëllezërit Çaka” në Kaçanik, 2 në ShFMU “Emin Duraku” në Kaçanik, 1 në ShFMU “Idriz Seferi” në Bob dhe 1 në SHFMU “Qamil Ilazi” në Kaçanik të Vjetër. Tabela elektronike zëvendëson video projektorin, dërrasën e zezë, SMART Tv etj.