Kuvendi i Komunës së Kaçanikut mbanë mbledhjen e VI-të për vitin 2023
Kuvendi miratoi Propozim Rregulloren për mënyrën dhe kushtet e shfrytëzimit të shtëpisë së kulturës “Xheladin Kurtaj” në komunën e Kaçanikut, ndërsa u debatua dhe u votua Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) e komunës së Kaçanikut 2024-2026. Anëtarët e opozitës kërkuan me shumë projekte në zhvillim ekononik dhe bujqësi, si dhe balancim të investimeve nëpër vendbanime. Debat u zhvillua edhe për raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Kaçanikut, për vitin 2022. Nga ekzekutivi komunal, ky raport u vlerësua si njëri ndër më të mirët në vitet e fundit, ku raporti nga auditori është vlerësuar i pa modifikuar pa theksim të çështjes. Ekzekutivi komunal vlerësoi se ky vlerësim i raportit hap dyert për përfitimin e granteve të ndryshme siç është edhe ai i performancës komunale. Ndërsa nga opozita u shpreh shqetësimi për gjetjet e reja të këtij raporti si dhe për 2 gjetjet e përsëritura.
Po ashtu u miratuan edhe pikat e rendit të ditës:
-Plani i Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit, nga Zyra Kombëtare e Auditimit për PFV 2022;
-Propozim Vendimi për transferin e mjeteve nga rezerva komunale, sipas buxhetit të vitit 2023;
-Propozim Vendimi Paraprak për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër, në Zonat Kadastrale: Doganaj, Koxhaj, Begracë, Kaçanik;
-Propozim Vendimi për formimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës në përbërje të:
Besmir Krasniqi ( Ekzekutivi komunal)
Arbnora Kuka( Ekzekutivi komunal)
Bashkim Krasniqi ( PDK)
Bashkim Luma ( VV) dhe
Remzi Reka ( shoqëria civile)
-Propozim Vendimi për ndarjen e masës drusore të konfiskuar, shkollave të komunës;
-Raporti i KRM “ Pastërtia” SH.A- Njësia Kaçanik, lidhur me menaxhimin e Parkingjeve publike në komunën e Kaçanikut; ndërsa në mbledhjet e radhës deri në sqarimet e më tejme nga DUKMM, sërish do të shqyrtohet Kërkesa e MMPHI, për Rishqyrtimin e Vendimit 01Nr. 104/02-9142/23 i datës 28.04.2023 për shpallje me interes të përgjithshëm publik të pjesës së PK Nr. 00516-1 ZK Kaçanik, për rregullimin e rrugës dhe ndërtimin e urës mbi lumin Nerodime dhe Kërkesa e MMPHI për Rishqyrtimin e Vendimit 01Nr. 104/02-11896/23 të datës 30.05.2023, për caktimin e lokacionit për nevoja të HANDIKOS.