Kuvendi i Komunës së Kaçanikut mbanë mbledhjen e VII-të për vitin 2023
Fillimisht anëtarët e kuvendit u njoftuan në lidhje me Raportin gjashtëmujor financiar për periudhën Janar – Qershor 2023, të cilin e prezantoi drejtori për Financa dhe Buxhet Bahri Selimi.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe 6 mujore ecuria financiare e Komunës së Kaçanikut ka shkuar si duhet në parametrat e caktuara fiskale. Të hyrat direkte komunale kanë shënuar trende tejet pozitive ku është arritur performancë prej mbi 60% e realizimit të të hyrave të planifikuara. Drejtori Selimi gjithashtu theksoi se edhe shpenzimet sipas kategorive ekonomike kanë shënuar rritje prej 33% në krahasim me periudhën e njëjtë paraprake të vitit të kaluar. Nga ana tjetër përfaqësues në kuvendin komunal nga ana e opozitës, u ndanë të kënaqur me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë, ndërsa shprehën pakënaqësitë e tyre në lidhje me shkallën e ulët të shpenzimit të buxhetit.
Ndërsa përfaqësues në kuvend nga pozita, thanë se qytetarët kanë rritur besimin në institucione komunale, andaj edhe është rritur niveli i pagesës së tatimit, duke krijuar në këtë mënyrë edhe komuna të hyra vetanake më shumë se sa të njejtën periudhë të vitit të kaluar.
Anëtarët e kuvendit po ashtu diskutuan dhe miratuan pikat e rendit të ditës:
Propozim Vendim për vërtetimin e interesit të përgjithshëm publik për këmbim të pronës komunale me pronën private ,ZK Runjevë ;
Propozim Vendim për vërtetimin e interesit të përgjithshëm publik për këmbim të pronës komunale me pronën private ,ZK Begracë;
Propozim Vendim për ndryshim plotësimin e vendimit 01Nr.60/01-33331/22 ,të datës 29.12.2022 - Për ndryshim plotësimin e vendimit të kuvendit të komunës 01NR.104/02-19963 ,të datës 02.09.2022 - Për formimin e komisionit të ankesave për procedurën e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës
Propozim Vendim për ndryshim plotësimin e Vendimit paraprak 01 Nr. 104/02-13790/23, të datës 30.06.2023, për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër si dhe
Propozim vendimi për ndryshim plotësimin e Vendimit 01 Nr.104/02-13788/23 të datës 30.06.2023, për formimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës.