Mbahet dëgjimi final buxhetor me qytetarët e Komunës së Kaçanikut
Takimin hapi nënkryetari i Komunës Sabedin Vishi, i cili falënderoi dhe njëkohësisht inkurajoi qytetarët që të marrin pjesë në dëgjimet publike, sepse në këtë mënyrë ato bëhen pjesë e vendimmarrjes së përbashkët komunale, si dhe caktimi i prioriteteve investuese është më i lehtë kur merren vendimet e përbashkëta.
Më pas nënkryetari Vishi shpalosi të dhëna nga projekt buxheti për vitin 2024, i cili do të jetë afër 12 milion euro ( 11,958,983.00), të cilat mjete më pas do të shpenzohen sipas kategorive të parapara buxhetore.
Të pranishmit në debat, përfaqësues të lagjeve dhe të fshatrave si dhe qytetarë të tjerë, kërkuan edhe më tutje investime në infrastrukturën rrugore, trotuare e ndriçim publik, ujësjellës e kanalizim, rregullim të infrastrukturës shkollore, sportive, investime në bujqësi etj.
Ky ishte dëgjimi buxhetor i fundit të cilit i kanë paraprijë edhe shumë debate të tjera për buxhet, me grupe të caktuara të interesit, ndërsa qytetarët po ashtu kishin mundësinë që edhe për gjatë një muaji të dërgojnë komentet dhe kërkesat e tyre edhe në mënyrë elektronike sa i përket buxhetit për vitin 2024. Të gjitha dëgjimet buxhetore janë organizuar nga Kryetari i Komunës përmes Drejtorisë për Buxhet dhe Financa dhe ekzekutivi komunal. Kërkesat dhe sugjerimet e qytetarëve do të trajtohen dhe do të shikohen mundësitë buxhetore që këto kërkesa të qytetarëve të paraqitura gjatë serisë së dëgjimeve publike, të realizohen.