Me aktivitete të shumta u shënua Dita e Çlirimit të Kaçanikut
Në fjalën e tij Kryetari i Komunës, Besim Ilazi tha se në këtë ditë kujtojmë të gjithë të rënët për lirinë e vendit tonë. “E sot në këtë ditë festive, nuk do të harrojmë gjakun e derdhur për liri të dëshmorëve e heronjve të kombit, nderojmë kujtimin për të gjithë martirët e rënë, kujtojmë të gjithë fëmijët e vrarë pafajësisht, këto lulëkuqe të atdheut, që janë pjesa më e dhimbshme e historisë së luftës sonë. Nderojmë luftën e shenjtë dhe sakrificën e gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkulje e përjetshme ndaj invalidëve të luftës, që nuk kursyen as gjymtyrët e tyre për çlirimin e atdheut. Kujtojmë veprimtarinë dhe pendën e veprimtarëve të çështjes kombëtare, ndajmë respektin për nënat dhe motrat tona që ishin pjesë e pandalshme e kontributit dhe sakrificës në luftën për liri” tha mes tjerash në fjalën e tij Kryetari duke shtuar se shikuar gjeografikisht dhe për nga numri i popullsisë, komuna jonë renditet ndër komunat që i falën shumë dëshmorë e martirë kësaj toke. Janë dëshmorët e qytetit tonë të prirë nga dy komandantët emblematik Agim Bajrami e Qamil Ilazi, që sot pushojnë të qetë në altarin e lirisë.
Në emër të OVL-së së UÇK-së foli Azem Guri- Komandant i Batalionit të II-të, i cili solli evokime nga dita e çlirimit.
Po ashtu u mbajt edhe një program i pasur kulturo artistik nga artistët kaçanikas. Para se të mbahej akademia janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule në Kompleksin Memorial të Varrezave të Dëshmorëve, Përmendoreve dhe Busteve të Heronjve në Kaçanik, është organizuar aktiviteti sportiv me moton “ Vrapi i Lirisë”.
Shoqëria “ Lëvizja” organizoi Përurimin e Librit “Shtegtime nëpër Atdhe” me autor Berat Luzha.
Po ashtu u organizuan edhe aktivitetet tjera:
Ora: 18: 00 Nata e dytë e Festivalit Kombëtar të SHAKA “Kaçaniku 2023”
Vendi: Pallati i Kulturës “Xheladin Kurtaj” – Kaçanik