Miratohet buxheti i Komunës së Kaçanikut për vitin 2024
Fillimisht Drejtori Bahri Selimi, shpalosi detaje në lidhje me Propozim Vendimin për Buxhetin e Komunës së Kaçanikut, për vitin fiskal 2024 dhe vlerësimet për vitet 2025-2026.
Sipas tij, Buxheti i Komunës së Kaçanikut për vitin 2024, do të jetë në vlerë prej 11,958,982.49€, ku ky buxhet është i ndarë në këto kategori ekonomike:
1. Paga dhe Mëditje, për vitin 2024, është : 6,759,179.49€
2. Mallra dhe Shërbime, për vitin 2024, është 1,421,513.00€
3. Shpenzime Komunale, për vitin 2024, është 200,000.00€
4. Subvencione dhe Transfere për vitin 2024, është 415,529.00€
5. Investime Kapitale, për vitin 2024, është 3,162,761.00€
Krahasuar me vitin 2023, do të kemi rritje të buxhetit në vlerë prej 1,284,293.49€.
Ndërkohë në lidhje me buxhetin e propozuar, anëtarët e kuvendit nga opozita Ardita Rrahmani (LDK), Betim Shala (LDK) dhe Agim Çaka( Nisma ), shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me mos përfshirjen e disa kërkesave të qytetarëve nga dëgjimet publike, kërkuan sqarime pse nuk janë futur disa projekte, si dhe kërkuan që ndarja e buxhetit të jetë më proporcionale në të gjitha vendbanimet. Ndërsa nga ana e pozitës ( PDK) Fitore Vishi si dhe Rrustem Zenuni, kërkuan që buxheti të votohet nga të gjithë anëtarët sepse është një buxhet në dobi të gjithë qytetarëve të komunës. Anëtarëve të kuvendit iu përgjigj edhe Kryetari Besim Ilazi, i cili pas sqarimeve për disa projekte, kërkoi përkrahje nga niveli qendror për mbështetjen e projekteve më të mëdha, pasiqë sipas tij, po kalon viti i tretë pa përkrahje financiare të projekteve nga niveli qendror. Pas diskutimeve në kuvend me shumicë votash u miratua projekt Buxheti i Komunës së Kaçanikut, për vitin fiskal 2024 dhe vlerësimet për vitet 2025-2026.
Me kërkesë të drejtorit Bahri Selimi u largua nga rendi i ditës pika për Propozim Vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore, sipas buxhetit të vitit 2023, ndërsa u miratuan pikat e tjera të rendit të ditës:
Propozim Vendimi për transferin e mjeteve buxhetore, sipas buxhetit të vitit 2023;
Propozim Vendimi për realizimin e një vizite studimore e anëtarëve të KK, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Malit të Zi;
Raporti i punës i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023;
Propozim Vendim për miratimin e Raportit përfundimtar të Komisionit profesional të komunës, për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e breshërit të datës 23.07.2023 në territorin e Komunës së Kaçanikut, në fshatin Biçec;
Propozim Vendim Paraprak për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës, në shfrytëzim afatshkurtër, në ZK Kaçanik;
Propozim Vendim për formimin e komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të komunës;
Propozim Vendim për shpallje me interes të përgjithshëm publik të pronës private 00153-24 të Ramiz Shaqiri, për këmbim me pronën komunale 01908-15, në ZK Kaçanik;
Propozim Vendim për shpallje me interes të përgjithshëm publik të pronës private 00643-0 të Adnan Vishi, për këmbim me pronën komunale 00644-1, në ZK Kaçanik;
Propozim Vendim për shpallje me interes të përgjithshëm publik të pronës private 00544-0 të Mejdi Xhokli, për këmbim me pronën komunale 00545-0, në ZK Koxhaj.
Ndërkohë për shkak të siç thuhet nga grupi i asambleistëve të Lëvizjes “ Vetëvendosje” të mos respektimit të ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Rregullores së Kuvendit dhe procedurave të tjera të organizimit të mbledhjeve të komiteteve dhe kuvendit, grupi i asambleistëve të Lëvizjes " Vetëvendosje" bojkotuan mbledhjen e kuvendit.