Në Kaçanik mbahet Konsultimi Publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2024-2026
Fillimisht takimin e hapi Kryetari i Komunës, Besim Ilazi, i cili inkurajoi qytetarët që të bëhen pjesë e dëgjimeve dhe konsultimeve publike, ku së bashku edhe vendimmarrja do të ishte më reale. Kryetari edhe më tutje paraqiti nevojën se Kaçaniku si komunë e vogël, ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e institucioneve qendrore, duke shtuar se përkundër që të gjitha projektet e mëdha komunale që nuk kanë mundur të realizohen me buxhetin komunal, janë përcjellur me kohë në qeverinë e Kosovës, deri më tani nuk është përkrahur asnjë projekt nga niveli qendror.
Nga ana tjetër, Bahri Selimi- Drejtor për Buxhet dhe Financa, shpalosi draft Kornizën Afatmesme Buxhetore ( KAB) 2024-2026, për të cilën tha se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve (KASH 2024-2026) paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2024. Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë, e cila reflekton mjedisin makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.
Drejtori Selimi, tha se buxheti për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë afër 12 milion euro, që do të shpërndahet në të gjitha kategoritë buxhetore të shpenzimeve.
Nga ana tjetër të pranishmit në konsultim publik, kryesisht përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve urbane, paraqitën kërkesat e komunitetit që përfaqësojnë, si investime në infrastrukturë rrugorë, ujësjellës, kanalizim, trotuare, rregullim të përroskave, investime në infrastrukturën shkollore, terrene sportive, përkrahje për fermer etj.