Në Kaçanik mbahet punëtori rreth Hartimit të Planit Zhvillimor Komunal
Në punëtorinë e organizuar nga ekzekutivi komunal me asambleistët dhe grupin punues komunal u diskutua në lidhje me procesin dhe përmbajtjen e hartimit të draft dokumentit për Planin Zhvillimor Komunal.
Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kemajl Murseli, vlerësuan se hartimi i këtij dokumenti për këtë komunë është mjaft i rëndësishëm, dhe si i tillë mund të konsiderohet si një instrument i planifikimit që përcakton qëllimet afatgjata të zhvillimit ekonomik, shoqëror e hapësinor.
Draft Dokumenti i PZHK-së u diskutua nga asambleistët dhe ekzekutivi komunal si dhe grupi punues nga ku u nxorën rekomandimet dhe sugjerimet. Vizioni i PZHK-së është “ Kaçaniku me mundësi për të gjithë, krenarë me trashëgiminë që ka, i zhvilluar me burime të shëndosha natyrore”. Në këtë punëtori u angazhuan edhe ekspertët vullnetarë Visar Ramajli nga Kompania “ Kivo”, Muhamet Malsiu ekspert hapësinor si dhe gjeodeti Zekrija Elezi.
Draft dokumenti i PZHK-së është në fazën finale të hartimit, ku më pas do të jetë edhe në konsultim publik, ku qytetarët për një kohë të caktuar do ta kenë mundësinë që këtë projekt dokument ta shohin nga afër dhe të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.