Në Kaçanik mbahet tryezë diskutimi në kuadër të projektit “Gjinia, Paqja dhe Siguria”
Fillimisht zyrtari për barazi gjinore, Vedat Dema, tha se në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra kundër dhunës në familje, është formuar edhe mekanizmi kundër dhunës në familje që përbëhet nga përfaqësues relevant që trajtojnë rastet e dhunës në familje, ndërsa shtoi se po ashtu çdo vit organizohen edhe fushata vetëdijesuese që për qëllim kanë informimin kundër dhunës në familje, duke shtuar se ligjërata të tilla janë mbajtur edhe nëpër institucionet fetare siç janë xhamitë.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik, Halim Shehu, tha se nga periudha 1 janar e deri më tani janë paraqitur 11 raste të dhunës në familje në Komunën e Kaçanikut.
Ndërsa, Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha se projekti synon të adresojë kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen gratë në komunitet si dhe dhunën në familje në përgjithësi. Projekti po ashtu synon të ngrisë vetëdijen e komunitetit dhe institucioneve të vendit rreth pasojave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe gjetjen e formave më të mira për adresimin e këtij problemi.
Pjesë e aktiviteteve të këtij projekti është organizimi i takimeve me gra në nivel lokal, për të diskutuar më shumë rreth shqetësimeve dhe rreziqeve me të cilat përballen, si dhe gjetjen e mënyrave më të mira për adresimin dhe raportimin e tyre. Në këto takime gratë do të kenë mundësinë që të bisedojnë më institucionet lokale dhe ato të sigurisë rreth dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe gatishmërinë e institucioneve shtetërore e lokale për të adresuar këtë sfidë.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.