Nënshkruhen kontratat me përfitueset e subvencioneve në Komunën e Kaçanikut
Kryetari Ilazi uroi gratë dhe vajzat nga komuna jonë, përfaqësuese të bizneseve, të cilat kanë përfituar subvencionim për bizneset e tyre. Kryetari tha se angazhimi i tyre në biznese të ndryshme, ndihmon ekonomitë familjare dhe avancimin e tyre në shoqëri, ndërsa premtoi që vitin tjetër shuma e subvencioneve do të jetë shumë më e madhe për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e skemës së subvencionimit.
E pranishme në takim ishte edhe drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm Pranvera Zharku, e cila uroi përfitueset e grantit, duke u dëshiruar atyre suksese të reja dhe avancim në biznesin e tyre.
Gratë dhe vajzat përfituese të grantit komunal, falënderuan kryetarin dhe komunën për dhënien e mundësisë që edhe ata të jenë pjesë e përfitimit të subvencioneve, të cilat mjete sipas tyre do të shfrytëzohen për zgjerim të biznesit në pajisje me mjete të punës.
Në kuadër të thirrjes për subvencionim të bizneseve ekzistuese që udhëhiqen nga gratë ishin paraparë të ndahen 40 mijë euro, mirëpo për shkak të numrin të vogël të aplikueseve dhe disa të tjerëve që nuk kanë plotësuar kushtet, nga kjo thirrje kanë përfituar 8 biznese, ndërsa vitin tjetër fondi do të jetë më i madh. Aplikimi ka qenë i hapur përmes thirrjes publike, ndërsa i kanë paraprijë të gjitha procedurat e nevojshme.