Fermerët e Kamenicës të kënaqur me subvencionimin e qumështit
Në këtë takim, të pranishëm ishin Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shpend Morina, Shefi i Kabinetit të Kryetarit, Vaxhid Rexhepaj, Zyrtari nga Drejtoria e Bujqësisë, Faik Avdyli, zyrtarë të tjerë nga kjo drejtori, si dhe fermerë nga Kamenica.
Shefi i Kabinetit të Kryetarit, Vaxhid Rexhepaj, ka falënderuar fermerët për prezencën e tyre në këtë takim, duke thënë se do të vazhdojë mbështetja edhe në të ardhmen për ta.
“Në emër të kryetarit iu falënderoj që keni ardhur në këtë takim. Po ashtu iu falënderoj për punën që jeni duke bërë në rritjen e kapacitetit të qumështit, andaj ju vazhdoni me këtë punë kurse komuna e ka për obligim t'iu financoj çdoherë”, ka thënë Shefi i Kabinetit.
Edhe Drejtori Shpend Morina ka falënderuar fermerët për angazhimin e tyre, duke thënë se do të rriten subvencionet për ta.
“Në vitin e parë të qeverisjes buxheti për mbështetjen ndaj juve ka qenë 37 mijë, më pas është rritur në 80 mijë, tani është 100 mijë, ndërsa duke parë punën dhe përkushtimin që ju po bëni vitin e ardhshëm pretendojmë ta rrisim në 120 mijë. Ne e kemi përkrahur më shumë sektorin e Blegtorisë pasi ka qenë sektor më i madh, mirëpo do të vazhdojmë të rrisim përkrahjen edhe për sektorët e tjerë. Këtë vit e kemi rritur vlerën e qumështit ku për dy 6 mujorët e kemi bërë 100 mijë euro. Andaj përkrahja jonë nuk do të mungoj as në vitet në vazhdim”, ka thënë Drejtori Shpend Morina.
Fermerët pas këtij takimi u ftuan në një koktej ku aty diskutuan edhe më gjatë për kërkesat e tyre.