Komuna e Kamenicës pjesë e Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor
Në këtë Samit ku të ftuar ishin krerë të shtetit dhe të institucioneve, u diskutuan tema të ndryshme lidhur me diskriminimin racor; buxhetimin e përgjegjshëm për romët: praktikat e mira dhe sfidat ne dy nivelet e qeverisjes; mekanizmat institucionalë për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor; njohuritë digjitale: ekzaminimin e pengesave ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; histori suksesi dhe praktikat më të mira në luftën kundër diskriminimit racor - përvoja nga Ballkani Perëndimor; si dhe shërbimet e bazuara në komunitet.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati në fjalën e saj theksoi se çështja buxhetore siç është problem për komunat e tjera është edhe për Komunën e Kamenicës, duke filluar nga ndarja e përgjithshme e buxhetit nga niveli qendror për komuna.
“Secili komunitet dhe grup shoqëror është e rëndësishme të mbulohet, mbështetet e shtyhet para nga secili digaster, si nga niveli lokal apo qendror. Sipas kornizave ligjore të cilat janë në funksion, e rëndësisë së lartë duke kaluar edhe në obligim për institucionet, është procesi i buxhetimit që duhet të ndahet, duke marrë parasysh gjithmonë edhe komponentën gjinore por edhe atë etnike. Suportimi i secilit komunitet qoftë ai dominues ose jo, është i përcaktuar me ligj për secilin nivel institucioni. Andaj komunitetet shpesh për shkak të kufizimeve apo edhe mungesës së vëmendjes qëndrojnë larg nga përfaqësimi në secilën fushë, e një ndër këto komunitete është edhe ai rom”, ka theksuar ajo duke shtuar se buxhetimi i përgjegjshëm për komunitetin rom ofron një gamë të gjerë përfitimesh, jo vetëm për popullatën rome por për shoqërinë në tërësi.
“Buxhetimi i përgjegjshëm për komunitetin rom përfshinë shpërndarjen e burimeve në mënyrë efektive për të adresuar nevojat e tyre specifike, dhe për të promovuar përfshirjen e tyre sociale. Popullsia rome shpesh përballet me sfida të rëndësishme socio-ekonomike dhe diskriminim. Në Komunën e Kamenicës, komuniteti rom konsiderohet grup i cenueshëm etnik për arsye të mënyrës së jetesës së tyre, mungesës së pronave dhe kushteve të rënda sociale në të cilat jetojnë. Si fenomene që zakonisht janë të shprehura te ky komunitet është mos vijimi i shkollimit të obliguar, dhe martesat e hershme”, shtoi ajo.
Ndër të tjera, Koordinatorja Demolli-Kastrati theksoi se pjesëtarët e këtij komuniteti nga institucionet komunale si nga drejtoritë dhe zyrtarët komunal, asnjëherë nuk janë trajtuar ndryshe në krahasim me të tjerët, pra nuk janë diskriminuar në aspektin e të drejtave dhe marrjes së shërbimeve, gjithnjë në suaza të kompetencave dhe kritereve ligjore që kanë përmbushur për të marrë shërbime si: pajisja me dokumente të nevojshme, regjistrimi falas gjatë gjithë vitit, marrja e ndihmës sociale për individët dhe familjet të cilët i plotësojnë kriteret sipas legjislacionit në fuqi, ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe të tjera.
Komuna e Kamenicës është përfituese e programit të përbashkët ndërmjet BE/Këshillit të Evropës, ROMACTED II, i cili ka të bëjë me 'Promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimin e komunitetit Rom në nivel lokal'.