Mbahet debati: Mundësia e rritjes së investimeve në Komunën e Kamenicës
Në këtë debat kanë marrë pjesë: Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Burbuqe Leka, Udhëheqësi i Divizionit për Zhvillimin dhe Kordinimin e Nismave Rajonale, Shani Hamitaga, konsulenti Durim Biqkaj, përfaqësues të bizneseve lokale, anëtarët e Handikosit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe mediat lokale.
Qëllimi i organizimit të debatit ishte diskutimi me bizneset lokale, diasporën dhe institucionet komunale lidhur me fuqizimin e bizneseve lokale, si dhe rritjes së investimeve kapitale të diasporës në Komunën e Kamenicës.
Si tema kryesore të debatit ishin: fuqizimi i bizneseve lokale, rritja e investimeve kapitale të diasporës në Komunën e Kamenicës, si dhe mundësia e rritjes të investimeve në Komunën e Kamenicës.
Nga ky debat dolën disa rekomandime si: aktivizimi i Qendrës së Bizneseve, punësimi i personave me aftësi të kufizuara në sektorin publik dhe privat, ndryshimi i kritereve për personat me aftësi të kufizuara gjatë aplikimit për punë dhe subvencione, ofrimi i mundësisë së mësimit dual dhe arsimimit të vazhdueshëm në funksion të përgatitjes për tregun e punës, mbështetja nga institucionet lokale dhe qendrore ndaj investitorëve nga diaspora por edhe atyre vendor, organizimi i takimeve me përfaqësuesit e shoqatave të të gjitha lokaliteteve të cilat veprojnë në diasporë, analizimi i mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të bizneseve lokale në organizime të formatit të tillë, avokim, thirrje apo ndërmjetësim për pjesëmarrje në takime të tilla nga të cilat dalin rekomandime të cilat mund të përbëjnë objektiva të përgjithshme apo specifike për orientimin strategjik të komunës dhe bizneseve.
Projekti “Promovimi i Zhvillimit Socio-Ekonomik në Komunën e Kamenicës”, është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.