Mbahet diskutimi publik për Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2023-2027 të Komunës së Kamenicës
Të pranishëm në këtë diskutim ishin drejtorë të drejtorive komunale, grupi punues për hartimin e këtij dokumenti, zyrtarë komunal, qytetarë, OJQ.
Drejtoresha e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Burbuqe Leka, theksoi se një dokument i tillë i nevojitet mjaft shumë Kamenicës.
“Ky dokument është mjaft i rëndësishëm për komunën tonë. Për hartimin e këtij dokumenti kemi ndjekur disa hapa, ku fillimisht është formuar grupi punues me përbërje të zyrtarëve komunal, mirëpo për hartimin e Strategjisë na kanë ndihmuar edhe akterë të tjerë si konsulentë të jashtëm dhe OJQ. Në këtë dokument janë përfshirë të dhëna të rëndësishme për sektorë të ndryshëm të Kamenicës, si statistika por edhe janë bërë disa krahasime, të cilat mund t’iu ndihmojnë që t’i shihni periudhat e ndryshme të komunës”, është shprehur ajo.
Kryesuesi i grupit punues për hartimin e këtij dokumenti, Selami Zylfiu, ka prezantuar Strategjinë për Zhvillim Ekonomik ku tha se janë organizuar disa takime me grupin punues, Këshillat Lokale, Drejtorë të Drejtorive komunale, me AKK, me përfaqësues të GIZ, AZHR –Lindje, me konsulentë dhe ekspertë të jashtëm.
“Nga këto takime dhe punëtori të cilat janë zhvilluar kanë rezultuar sugjerime, rekomandime dhe informata mjaft të rëndësishme për ta kompletuar dhe finalizuar draftin fillestar. Më pastaj është përcaktuar misioni dhe vizioni i komunës si dhe janë përcaktuar objektivat, aktivitetet dhe qëllimet, po ashtu është bërë një plan veprimi për të monitoruar dhe vlerësuar strategjinë. Pra, qëllim parësor i kësaj strategjie është modelimi i kapacitetit ekonomik të Komunës së Kamenicës, për të përmirësuar të ardhmen e saj ekonomike dhe cilësinë e jetës për të gjithë. Rrjedhimisht, të identifikojë resurset që ka në dispozicion Komuna e Kamenicës, dhe shfrytëzimi i tyre për rritje ekonomike sa më të madhe”, ka thënë ai.
Të pranishmit kishin disa pyetje dhe sugjerime lidhur me luftimin e ekonomisë joformale dhe kreditë, për rekrutimin e kuadrove, për planifikimin, për problemet me të cilat ballafaqohet sektori i pronës, për rënien e numrit të nxënësve, objektet shkollore jashtë funksionit, regjistrimin e popullsisë dhe rënien, pyetje këto të cilat u evidentuan në procesverbal.