Mbahet takim publik lidhur me fillimin e procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Komunën e Kamenicës
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, njëherësh kryetar i Komisionit Komunal për Regjistrim të Popullsisë, ka thënë se ky proces është shumë i rëndësishëm që të përmbyllet me sukses.
“Ne si komuna kemi një rol tejet të rëndësishëm në këtë proces, andaj lidhur me këtë edhe kemi formuar Komisionin Komunal për Regjistrim të Popullsisë, ku ky komision do të përkujdeset me kompetencat që ka lidhur me këtë proces. Regjistrimi i popullsisë na pasuron jo vetëm në nivel lokal por edhe në nivel qendror, kjo pasi që mungesa e të dhënave na keq-orienton në një rrugë apo politikë që duam ta bëjmë, andaj përmbyllja e këtij procesi siç duhet na orienton në rrugën e drejt për politikbërje”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Përfaqësuesi i ASK-së, Azem Avdyli në këtë takim theksoi se është tejet e rëndësishme të koordinohet bashkëpunimi mes ASK-së dhe Komunës.
Sipas tij këtë vit në fillimin e procesit të regjistrimit janë disa ndryshime.
“Dallimi i parë është që regjistrimi në 2011 është bërë në letër, ndërsa tani bëhet me tablet. Poashtu në të kaluarën kemi pasur problem për të dhënat e bashkatdhetarëve ndërsa tani janë shtuar edhe dy pyetësorë, ai për regjistrim të bashkatdhetarëve si dhe pyetësori për mbledhjen e të dhënave për dëmet e luftës”, ka thënë ai duke shtuar se Komisioni Komunal do të ketë angazhim edhe në terren.
Ndër të tjera në këtë takim nga të pranishmit u kërkua të dihet ndonjë datë se kur do të filloj ky proces, mirëpo nga përgjigja e anëtarëve të ASK-së u tha se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për fillimin e këtij procesi.