Mbahet tryezë për promovimin e të drejtave të komunitetit Rom dhe pjesëtarëve të tyre në jetën institucionale në Komunën e Kamenicës
Të pranishëm në këtë tryezë ishin: Nënkryetarja për Komunitete, Aleksandra Jovanovic, Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli Kastrati, Zyrtarja për Barazi Gjinore, Teuta Kastrati, zyrtarë nga zyra e komuniteteve, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, mediet lokale, qytetarë nga komuniteti rom.
Qëllimi i organizimit të tryezës ishte diskutimi i sfidave dhe problemeve që ballafaqohen qytetarët e komunitetit Rom në jetën e përditshme, si dhe shqyrtimi i mundësive për të përmirësuar gjendjen nga ana e institucioneve komunale.
Pjesëmarrësit gjatë diskutimeve kanë shprehur shqetësimet dhe mendimet e tyre lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve të komunitetit Rom në vendimmarrje, ku janë nxjerrë edhe disa konkluzione dhe rekomandime.
Si rekomandime kryesore të dala nga tryeza janë: organizimi i kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, rritja e punësimit të komunitetit Rom në institucionet komunale, zgjidhja e problemeve sociale, të drejtat në shkollim, të jenë aktiv në jetën kulturore dhe sportive, rritja e bashkëpunimit me komunat tjera ku jeton komuniteti rom, ndarja e bursave për shkollim dhe studime, etj.
Ky projekt është financuar nga Zyra e Kryeministrit, Zyra për Çështje të Komuniteteve në kudër të projektit “Mbrojtja dhe Promovimi i të Drejtave dhe Interesave të Komuniteteve”.