Në Kamenicë mbahet diskutimi publik për caktimin e tarifave për menaxhimin e mbeturinave
Në këtë diskutim të pranishëm ishin: Drejtoresha e Financave në Kompaninë Ecohigjiena, Leonora Ajeti-Latifi, Menaxherja e Njësisë Ecohigjiena në Kamenicë, Shejnaze Masurica, Xhelil Sahiti, anëtar i komisionit, anëtarë të komisionit për hartimin e këtij Propozim-Vendimi, përfaqësues nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, përfaqësues të Drejtorive të tjera komunale, zyrtarë komunal, OJQ dhe të tjerë.
Shefi i Sektorit të Mbeturinave në Komunën e Kamenicës, Hysen Jerliu, e hapi këtë diskutim, duke paraqitur para të pranishmëve Propozim-Vendimin për caktimin e tarifave dhe mënyrën e inkasimit të mjeteve financiare për menaxhimin e mbeturinave.
“Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë diskutim. Me siguri e keni parë këtë Propozim-Vendim për format e tarifave. Është një ndryshim i lehtë i tarifave. Ne jemi të hapur që nëse keni propozime të reja që t’i pranojmë. Pra tarifat janë këto: tek Ekonomitë Familjare është tarifa fikse 6 Euro, ndërsa tek veprimtaritë e tjera të ndryshme, dallon varësisht prej madhësisë së biznesit”, ka thënë ai.
Pas paraqitjes së Propozim-Vendimit është hapur debati për pyetje nga të pranishmit, të cilat kishin të bënin kryesisht më veprimtaritë biznesore për tarifën, për zbrazjen e mbeturinave si dhe për pagesën e borxheve.