Klina shënon Ditën e Çlirimit
Në shenjë nderimi e mirënjohje për të rënët për liri, në këtë ditë të veçantë, janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh pranë shtatores së komandant Mujë Krasniqit, te lapidari i martirëve dhe të pagjeturve të luftës, pranë bustit të dëshmorit Arben Haliti e veprimtarit dhe ish kryetarit të komunës, Ismet Rracit.
Po ashtu, homazhe janë bërë edhe në kompleksin memorial “Kodra e kuqe” në Grabanicë, pranë varrezave të dëshmorëve të kombit.
Të pranishëm në këto aktivitete përkujtimore ishin kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit, Fadil Gashi, nënkryetarja e komunës, Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, komandanti i Policisë, rajonit në Klinë, Ragip Bytyqi e familjarë dhe të afërm të të rënëve.
“Liria nuk erdhi natyrshëm, por u deshën shumë përpjekje shumëvjeçare nga shumë atdhetarë e patriotë. Liria u kurorëzua vetëm pas luftës çlirimtare të luftëtarëve të UÇK-së, flijimit të shumë dëshmorëve e martirëve të kombit, të cilët do të kujtojmë e nderojmë gjithmonë me respektin më të madh dhe u jemi falënderues çdo herë për heroizmin, trimërinë e sakrificën që kanë bërë e kontributin e dhënë për liri.
Për të arritur këtë ditë, lirinë e pavarësinë e Republikës së Kosovës, u jemi falënderues shteteve mike, anëtarëve të NATO-s, të cilat filluan fushatën e bombardimeve kundër shtetit serb e dhanë një kontribut vendimtar për liri e pavarësi.
Urime dita e çlirimit!
Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve për liri!”- ka thënë Elezaj.