Mbahet takim me drejtorët e shkollave të Komunës së Klinës

KlinëPostuar: 14:33 / 31.08.2023

Mbledhjen  e hapi drejtori i DKA-së, Dr.sc.Qemajl Sejdija, i cili u përqendrua në përgatitjet kadrovike, pedagogjike e teknike që ka bërë dhe po bën DKA-ja për fillimin  e vitit të ri shkollor si dhe në formën e re për sigurimin e teksteve shkollore, të praktikuar sivjet për herë të parë nga qeveria, gjë që paraqitet si mjaftë sfiduese për prindër, nxënës, por edhe për shkollat, sepse furnizimi me tekste duket se do të marrë kohë dhe do të shkaktojë telashe në procesin mësimor, sidomos në këtë fillim të vitit shkollor.

Në këtë drejtim u kërkua që shkollat të ndihmojnë me kapacitetet e veta prindërit në procesin e aplikimit për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën digjitale e-Kosova, në mënyrë që sadopak të ndihmohet ky proces jo dhe aq i lehtë për shumicën e prindërve dhe duke pasur parasysh infrastrukturën e Internetit nëpër zona rurale dhe mungesat e defektet e tjera që shoqërojnë këtë proces.

Drejtorët e shkollave raportuan për gjendjen momentale dhe përgatitjet që kanë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor, kështu që, rrjedhimisht, nga ky takim pune doli qëndrimi i përbashkët që në të gjitha shkollat e komunës së Klinës viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtatorë.

Drejtori i DKA-së me këtë rast uron të gjithë nxënësit, prindërit dhe personelin arsimor për fillim të mbarë dhe suksese në avancimin e nivelit të cilësisë gjatë vitit të ri shkollor 2023/2024.