Apeli i vërteton dënimin ish-kryetarit të Kllokotit
Spasiq është shpallur fajtor, pasi që në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka tejkaluar autorizimet e tij në atë mënyrë që, me datë 3 shkurt 2014, ka nxjerrë aktvendimin me numër protokolli 4134/1, me të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar të dëmtuarin T.S. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Fillore Marko Rajkoviq në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015.
Po të njëjtën datë me 3 Shkurt 2014 ka nxjerrë edhe aktvendimin me numër protokolli 4133/1, të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar dëmtuarin B.D. nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Ekonomike Teknike në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 Dhjetor 2015.
Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike, nuk ka bërë shkeljeje të dispozitave të procedurës penale si dhe ka aplikuar drejtë ligjin penal, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Po ashtu, kjo gjykatë vlerëson se nuk qëndrojnë as pretendimet e mbrojtësit për dënim më të butë ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vlerësuar rrethanat e kryerjes se veprës penale si dhe ka marrë parasysh rregullat e përgjithshme për matje te dënimit.