Nënkryetari i Kllokotit mohon anashkalimin e fshatrave të banuara me shqiptarë
Sipas tij, janë një sërë projektesh që po realizohen dhe të tjera të planifikuara.
Dëgjimet buxhetore janë duke u organizuar nga organizata Network of Peace Movement (NOPM).
Në Komunën e Kllokotit është asfaltuar rruga Mogillë-Viti në gjatësi prej 3 kilometrave, e cila ka qenë një projekt i përbashkët në mes Komunës së Vitisë dhe asaj të Kllokotit, i cili është financuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, projektet me rëndësi për komunitetin shqiptar janë edhe renovimi dhe instalimi i nxehjes qendrore në shkollën e mesme të ulët Gjon Serreçinë Mogillë, ku pritet të inventarizohet shkolla. Në këtë shkollë mësojnë dy komunitetet, ai shqiptar dhe serb.
Jemi në fazën përfundimtare për të futur në funksionalizim rrjetin e ujësjellësit në Mogillë dhe në të gjitha vendbanimet e Komunës së Kllokotit. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me Hidromoravën e Gjilanit dhe me Qeverinë zvicerane. Kemi dorëzuar projektin për ndërtimin e një objekti për Qendrën Rinore në Mogillë, pranë Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, e cila na kanë dhënë premtime të mëdha për ta realizuar. Kam pasur takim me zëvendësministrin Izmi Zeka, i cili është zotuar se do na dalë në ndihmë. Presim që këto ditë të nënshkruajmë edhe një marrëveshje me Komunën e Vitisë dhe të dorëzojmë një projekt të përbashkët për ndërtimin e trotuarit në gjatësi prej 3 km në rrugën Mogillë Viti, ka thënë Rashiti. Sipas tij, këtë projekt do ta financojë Ministria për Infrastrukturë.
Këto projekte janë vetëm për fshatin Mogillë, ndërsa komuniteti shqiptar në Kllokot është pjesë e Kllokotit si qendër dhe investime janë bërë edhe aty, ka thënë ai.