Ekspozita “As mik, as armik” në Tiranë, hapësira ku arti shuan kufijtë

Postuar: 10:47 / 27.03.2019

Ekspozita “As mik, as armik” është e para për këtë vit, që vjen për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo ekspozitë e parë vjen për publikun me fotografi dhe instalacione nga artisti kosovar Sokol Beqiri.

Ajo realizohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe në përkujtim të 20 vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Për të përkujtuar këtë datë artisti nga Peja, Sokol Beqiri, vjen në Tiranë duke sjellë dëshmitë e asaj kohe me qëllimin e qartë, që në rast se arti nuk mund të shpëtojë, të paktën duhet të raportojë. Një piedestal, pemë në një mal, një djalë i shtrirë përtokë apo fotografi të heronjve janë disa nga elementët e ekspozitës së artistit nga Kosova.

Ai fillon ekspozitën me një Pikaçu të vendosur mbi një gur që gjithçka tjetër është e shkatërruar, por ngelet vetëm fjala “popullit”, më pas pemët simbolizojnë malin. Dhuna portretizohet shpesh vetëm si dëshmi e uniformave të luftës dhe pozave të sovranit.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në datën 2 qershor 2019. /ATSH/