Gashi premton investime në sportin dhe kulturën e Kaçanikut
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka vizituar komunën e Kaçanikut, prej ku është zotuar se do të mbështesë këtë komunë në të gjitha projektet e saj që lidhen me Ministrinë që ai drejton.
I shoqëruar edhe nga kryetari aktual i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ministri Gashi ka vizituar punimet që janë duke u bërë në palestrën sportive të kësaj komune.
Me këtë rast ai tha se kjo vizitë tregon përkushtimin e tij si ministër që do të përkrahë këtë komunë edhe në projekte të tjera.
"Është një projekt të cilin e ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por që ka pasur disa probleme në realizim dhe sot erdha për ta njoftuar që të gjitha procedurat administrative i kemi përfunduar dhe së shpejti do të fillojnë punimet për fazën e dytë. Përkatësisht për përfundimin e këtij projekti në mënyrë që në vitin 2018 qytetarët e Kaçanikut, sportistët, ta kenë në dispozicion këtë objekt të bukur. Natyrisht jam sot për të treguar përkushtimin tim si ministër edhe në projektet tjera të cilat do të vijnë në adresën time nga ana e kryetarit”, tha Gashi.
Ai tha se do t’i dalin zot jo vetëm sportit, por edhe pjesës së trashëgimisë kulturore dhe veçanërisht të rinjve dhe të rejave të Kaçanikut.
Ndërsa, kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, bëri të ditur se ka marr mbështetje nga ministri Gashi.
"E pamë të arsyeshme që së bashku me ministrin të vizitojmë edhe palestrën sportive që ka filluar nga viti 2014, por fatkeqësisht ende nuk ka përfunduar. Morëm zotimin e ministrit për një mbështetje të vazhdueshme kësaj radhe, nga ministri morëm konfirmimin se veç procedura e fundit përmbarimore për ta përmbyllur këtë proces të përmbylljes së palestrës sportive morëm një garancion se procedurat janë në përfundim e sipër dhe presim që kjo procedurë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe në viti e ardhshëm edhe qytetarët e Kaçanikut t’i gëzohen kësaj palestre sportive", tha ai.
Ai tha se sportistët e Kaçanikut deri më tani nuk kanë pasur terren të përshtatshëm për stërvitje, por që me përfundimin e kësaj palestre edhe ky problem do të zgjidhet. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi do të marrë pjesë edhe në përurimin e stadiumit të qytetit të Kaçanikut ku do të jetë prezent edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.