Kaçaniku dhe Kamenica vazhdojnë bashkëpunimin në sektorin e kulturës
Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, priti në takim përfaqësues të Komunës së Kamenicës nga sektori i kulturës, udhëhequr nga shefja e sektorit të kulturës në Kamenicë Azemine Maliqi.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë dhe format e reja të bashkëpunimit ndërkomunal, ndërsa prezantoi edhe drejtori për Arsim dhe Kulturë, Zahir Doda.
Në këtë takim me theks të veçantë u diskutuan mundësitë e pjesëmarrjes së artistëve kaçanikas në Festivalin Multikulturor që do të mbahet gjatë muajit prill në qytetin e Kamenicës.
Në këtë festival artistët e rinj kaçanikas do të kenë mundësi të marrin pjesë me shfaqje teatrale, rapsodike, letërsi, me karakter garues. Nënkryetari Bajra tha se Komuna e Kaçanikut ka shumë talent të rinj në fusha të ndryshme kulturore, ndërsa shprehu përkushtimin institucional në përkrahje të grupeve artistike që do të marrin pjesë në këtë festival.
Në takim po ashtu u diskutuan edhe format e bashkëpunimit, ndërsa u shkëmbyen përvoja të ndryshme sa i përket funksionimit të përgjithshëm të sektorit të kulturës në dy komunat përkatëse. /InfoKomuna/