Komuna e Ministria i kthehen nismës për sallë koncertale te ish-“Gërmia”

Postuar: 09:59 / 10.01.2018

Kujtim Gashi është ministri i tretë i Kulturës me të cilin kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, diskuton për sallë koncertale.

Por Komuna nuk ka ndërmarrë asnjëherë asnjë hap konkret në lidhje me këtë projekt prej se Ahmeti për herë të parë u zgjodh kryetar në fund të vitit 2013.

Pas ish-ministrave të Kulturës, Memli Krasniqi e Kujtim Shala, Komuna e Prishtinës tashmë është duke diskutuar për këtë projekt edhe me ministrin Kujtim Gashi, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përderisa në prill të vitit 2014, ish-ministri Krasniqi dhe kryetari Ahmeti ishin pajtuar që salla - e cila herë quhet universale e herë koncertale - të ndërtohet afër Fakultetit Teknik, të martën, në prani të kryeministrit Haradinaj, ata kanë diskutuar që kjo sallë të zërë vend tek ai që njihet si objekti i ish-“Gërmisë”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës e që shfrytëzohet nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Pas takimit, në Komunën e Prishtinës në kuadër të vizitës që kreu i ekzekutivit i ka bërë qeverisë së kryeqytetit, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministra të tjerë, kryetari Ahmeti ka thënë se është diskutuar krijimi i një taskforce për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të kryeqytetit, ashtu siç është paraparë me zgjerimin e Prishtinës së Re.