Monumenti i rrezikuar midis Prishtinës s’u shpëton ndërhyrjeve ilegale
“Shkolla e parë shqipe” është monumenti që gjendet në afërsi të objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Kufizohet me të dyja këto institucione. Është i rrethuar me skele, shirita e rrjetë tash një vit e gjysmë, prej se aty u bë ndërhyrja emergjente, por objekti është në gjendje të mjerueshme. Por krejt këto s’kanë çuar peshë.
Në monumentin e shekullit XIX së fundmi është ndërhyrë edhe ilegalisht. Tash një muaj organet ende s’kanë arritur ta identifikojnë se kush e ka bërë një gjë të tillë. Punimet e paautorizuara kanë ndodhur brenda objektit. Prekja e strukturës është bërë nga ana ku ka qenë një dyqan rrobash në ndërtesën dykatëshe. Brenda dyqanit, që tash është i mbyllur, nuk mund të hyhet, por mbeturinat e punimeve shihen.
Me këtë çështje është duke u marrë edhe Policia e Kosovës. Në shtator të vitit 2018 Komuna kishte angazhuar një kompani për ta bërë një ndërhyrje emergjente në ndërtesë. Janë vendosur shtylla në mënyrë që të mos bie suvaja. Trarët janë të shkëputur e shihet se janë vënë struktura të reja prej druri e tullave, në mënyrë që të forcohet statika. Në katin përdhes rrjedh uji shkaku i plasjes së një gypi. E institucionet ende nuk kanë ndonjë afat se kur do të ndërmerret ndonjë veprim.
“Dëmtimi në objektin në fjalë është raportuar më datën 05.02.2020 rreth orës 15:30. Në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet konform autorizimeve ligjore”, shkruhet në përgjigjen që Policia e Kosovës ia ka dhënë gazetës.
Ndërhyrjet e tilla në objekte të trashëgimisë kulturore bien në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore dhe sanksionohen me Kodin Penal të Kosovës.
“Çdo punë për modifikim ose demolim të një monumenti arkitektural ose ndonjë veprim konservues ose restaurues që mund të ndikojë nÑ‘ vlerat atribuese të monumentit kërkon pëlqimin me shkrim të institucionit kompetent”, shkruhet në nenin e 6-të të Ligjit për trashëgimi kulturore. Ky ligj përcakton po ashtu se mosrespektimi i dispozitave të tij mund të përballet me dënim me gjobë prej një mijë deri në 500 mijë euro.
“Gjendja e këtij aseti të trashëgimisë kulturore është shumë e rëndë”, shkruhet në këtë dokument. Sqarohet po ashtu se objektet e përkohshme që janë përreth monumentit nuk kanë leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Këto objekte del të jenë një problem i vjetër./Koha.net/