Nderohet jeta dhe veprimtaria e atdhetarit Sali Bajra

KaçanikPostuar: 09:00 / 14.12.2016

Me një akademi përkujtimore në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, është mbajtur një akademi përkujtimore në shënimin e përvjetorit të dhjetë të ndarjes nga jeta të ish Kryetarit të Komunës së Kaçanikut dhe veprimtarit Sali Bajra.

Në fjalën e rastit, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, e çmoi dhe e vlerësoi lartë figurën e madhërishme të veprimtarit Sali Bajra.

“Sali Bajra ishte kryetar i Kaçanikut; por, mbi të gjitha, ishte veçse mbrojtës dhe luftëtar dinjitoz i çështjes kombëtare, ndaj këtu qëndron edhe përmasa madhështore e tij. Kaçaniku i viteve të 60-ta të shekullit të kaluar ishte kështjella, ku kishte ankoruar e paluhatshme udhëheqja politike - pushtetore kombëtare shqiptare e Kosovës, - në nivel komune, po -, mirëpo ku po reflektonte atdhetarizëm trimi i mirë me shokë shumë – Sali Bajra, vëllazërisht dhe intelektualisht të kultivuar në nivel klase politike. Trajektorja reaguese, kundërshtuese dhe me ngulm kërkuese e të cilëve godiste tejpërtej Serbisë deri në Federatën Jugosllave, ngrehinën politike shoviniste të kohës” tha Kryetari Ilazi.

Kryetari më tutje shtoi se përkundër ndarjes nga jeta, personaliteti emblematik i tij vazhdon të jetojë frymëzues, në shërbim të edukatës së brezave.
“ E po, ku ta gjejmë të dytin si bacën Sali?
- Natyrisht, po të ishte gjallë Ai, së pari shikimin do ta kthente kah shokët e vet, sikundër edhe ne bashkë me të; por, meqë qysh kur ishte gjallë ai, disa nga ta i kishin shkuar, mbase do të na shikonte edhe neve që, për fat të mirë, i kemi gëzuar këshillat e tij?!
E, sa na përket neve, me një kërkim falje, do t’i luteshim të na kursente nga shikimi mbase edhe pak, sa të piqemi ende nëpër sprovat që na presin… Sprova, me të cilat Republika e Kosovës po na flet edhe në ditët e sotme!” u shpreh Kryetari Ilazi.

Në fund të fjalimit të tij Kryetari Ilazi tha se përvjetorët përkujtimor për Sali Bajrën do të jenë gjithmonë edhe solemn.

Në këtë akademi përmes evokimeve Hebib Shehu, prezantoi shumë momente të kaluara me veprimtarin Sali Bajra, ndërsa e vlerësoi si një vigan të çështjes kombëtare, që nuk e kurseu asnjëherë kohën për zhvillimet e kohës në çdo aspekt. Ai mes tjerash përmendi kontributin e Sali Bajrës në arsim, e edhe në emancipimin e femrës, ndërsa tha se atë kohë Kaçaniku pësoi një renesancë.

Të pranishmit i përshëndeti dhe falenderoi për pjesëmarrje Zekirja Bajra vëllau i Sali Bajrës si dhe Zyleha Bajra vajza e Sali Bajrës.
Akademinë e pasuroi edhe programi artistik i përgatitur nga artistët kaçanikas.

Para se të mbahej akademia, u bënë homazhe pranë bustit të Sali Bajrës në objektin e komunës dhe tek varri i tij në varrezat e qytetit.

Të gjitha këto aktivitete për shënimin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit Sali Bajra, janë organizuar nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi.

/InfoKomuna/