Në Gjilan nis Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”
Në Gjilan ka nisur Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, të cilën e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Që në mbrëmjen e parë është dëshmuar se publiku i Gjilanit është kampionë për shikueshmëri, ngase të pakta ishin ulëset e Sallës së Teatrit për t’i zënë të gjithë shikuesit.
Publiku i Gjilanit dëshmoi se është tjetër nivel dhe ndjen dashuri për “Talia e Flakës” është thënë në hapje të Festivalit, i cili si gjithherë ka karakter garues.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se “Flaka e Janarit” kishte nisur në Përlepnicë e në Mejtepin e Xhamisë së Bresalcit dhe tashti ka marrë karakter kombëtar.
Ai ka kërkuar që të ruhet qëllimi parësor i Manifestimit për nderimin e heronjve dje ka shtuar se sivjet “Flaka e Janarit” i kushtohet 20- vjetorit të çlirimit të Gjilanit.
“Ky teatër do t’i kthehet njerëzve të kulturës, më 2018 ai u bë i qëndrueshëm, kurse tash më 2019 ky do të jetë vit i Teatrit të Qytetit, ngase do të zgjidhet problemi 20- vjeçar dhe do t’i kthehemi një kalendari të madh kulturor”, ka thënë Lutfi
Haziri, që ka thënë fjalë miradie për drejtorin e ri Erson Zymberi dhe ka shpallë të hapur Festivalin.
Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, që në cilësinë e drejtorit për herë të parë është nikoqir i këtij festivali të madh, ka kërkuar një minutë heshtje për aktoren Fatime Llugiqi, që ka ndërruar jetë dhe ka shprehur dëshirën që Festivali të jetë një zë edhe për teatrot tjera në Kosovë për të organizuar festival të këtij karakteri.
Ai kërkoi që të ngritet zëri edhe i teatrove të qyteteve të tjera dhe të kërkohet mbështetje për artistët dhe teatrot.
Ai e ka falënderuar kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, për të cilin tha se po punon në ndërtimin e një politike kombëtare për zgjidhjen definitive të problemeve të teatrove të qyteteve dhe e ka ftuar atë që të hap Festivalin.
Edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Leonora Morina – Bunjaku, ka theksuar se ndjehet e nderuar që merr pjesë në manifestimin e 28, i cili i dha identitet Gjilanit dhe se edhe MKRS po e mbështet këtë manifestim, i cili nderon vargun e pafund të atdhetarëve që u përpoqën për liri.
“Flaka e Janarit u bë identitet i Gjilani, duke sjellë dramën shqipe nga gjithë hapësira shqiptare, kurse thjeshtë publiku i Gjilanit është më i miri”, ka thënë Morina – Bunjaku.
Në natën e parë është dhënë shfaqja “I ligu për mend” i Gjergj Fishtës me regji të Altin Bashës e ku kanë luajtur aktorët e Tetarit Kombëtar të Kosovës, Luan Jaha, Armend Baloku, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli,
Ard Islami, Ismet Azemi dhe Bastri Lushtaku.
Aktorët interpretuan me një gjuhë shqipe të kohës së autorit, Gjergj Fishta, kurse me lojën e tyre ata e kanë bërë publikun për vete dhe për publikun shumë të pëlqyeshme ishin interpretimet e aktorëve, andaj në fund u duartrokitën gjatë.