Në Mitrovicë u hap Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018
MitrovicëPostuar: 16:43 / 19.04.2018
Është hapur në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë, Panairi i Shkencës dhe Kulturës 2018, që tashmë është bërë tradicional dhe që organizohet nga nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi”. Në panairin e sivjetmë marrin pjesë edhe nxënësit e shkollave të tjera të mesme të Mitrovicës.
Anëtarët Këshillit organizativ, Rexhep Avdiu dhe Endrit Haliti, thanë se në panair do të tregohen vlerat e nxënësve që kanë arritur në lëndët shkollore si Kimi, Fizikë, Biologji, Astronomi dhe sektori multimedial e teknologji, ato nga kultura e muzika dhe trashëgimia kulturore etj, si dhe do të ketë aktivitete nga fusha e bamirësisë.Panairin e vizituan edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci. Kryetari Bahtiri e cilësoi këtë panair si ngjarje me rëndësi për qytetin për dëshmimin e punës së madhe që bëhet në këtë shkollë si burim i dritës dhe edukimit.
Ndërkaq, drejtori i gjimnazit Ismet Ferizi shprehu kënaqësinë që nxënësit e kësaj shkolle, ashtu sikur edhe në të kaluarën, me këtë organizmin pasqyrojnë punën e madhe që behët në këtë tempull të dijës në drejtim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja.
Në panair, i cili do të zgjasë tri ditë, po marrin pjesë rreth 200 nxënës, të organizuar në 28 sektorë. Panairi qysh në ditën e parë zgjoi interesim të madh tek të rinjtë dhe qytetarët tjerë të Mitrovicës. Organizatorët presin që panairin ta vizitojnë rreth 6.000 qytetarë.