Poezia “Burri i dheut” merr çmimin “Ibrahim Rugova”

IstogPostuar: 09:22 / 07.12.2015

Me poezinë “Burri i dheut” poetja nga Gjakova me origjinë nga Elbasani, Migena Arllati, është shpallur fituese e edicionit të parë të konkursit mbarëkombëtar poetik “Ibrahim Rugova”.

Konkursi është organizuar nga klubi letrar ”Podguri” nga Istogu dhe është mbajtur të shtunën në Istog nën patronazhin e kryetarit të kësaj komune, Haki Rugova. Për këtë çmim kanë konkurruar me poezi, si dhe kanë garuar poetë nga mbarë trojet shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

 

“Është nderim i lartë vendimi i jurisë për të më dhënë çmimin e parë, pikërisht me titullin ‘Ibrahim Rugova’, njeriu i cili për mua bart vlera të shumëfishta në aspektin e letrarit, shkrimtarit, politikanit dhe burrështetasit”, ka thënë fituesja e këtij konkursi, Migena Arllati.

 

Konkursi për poezinë më të mirë mbarëkombëtare i është kushtuar punës dhe veprimtarisë së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

 

Nikoqiri i kësaj ngjarjeje letrare, kryetari i Istogut, Haki Rugova, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në konkursin letrar.“Me kënaqësi e kam përkrahur këtë ide të klubit letrar ‘Podguri’. Në të ardhmen ky aktivitet do të jetë tradicional, sepse ka ardhur koha që ju si artistë të përkraheni më shumë për vlerat që i sillni shoqërisë”, ka thënë Rugova.

 

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi, e cila tha se ndihej e privilegjuar që ndodhej në këtë aktivitet në Istog.

 

“Është nder për mua të jem këtu në aktivitetin letrar që i kushtohet një personaliteti të shquar të kombit shqiptar dhe jo vetëm të Kosovës, siç ishte dr. Ibrahim Rugova”, tha deputetja shqiptare.

 

Për Sadik Bicajn, kryetar i klubit letrar “Podguri”, ky projekt ka një rëndësi të veçantë për klubin e poetëve të Istogut, duke pasur parasysh se ky aktivitet poetik i kushtohet figurës që kontribuoi në formimin e shtetit të Kosovës.