Projekti për qasje në Kalanë e Prizrenit s'është prioritet

PrizrenPostuar: 12:40 / 24.10.2016

Ideja për zbatimin e projektit për mundësimin e qasjes alternative fizike në Kalanë e Prizrenit vazhdon të përcillet me dilema.

Akterë të ndryshëm publikë e civilë pajtohen se qasja fizike si e drejtë universale duhet të sigurohet për të gjitha kategoritë e shoqërisë, por kanë tërhequr vërejtjen se në Prizren ka mjaft objekte të institucioneve si dhe hapësira publike që nuk mundësojnë gjithëpërfshirje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prandaj edhe janë shfaqur zëra se qasja alternative fizike në Kalanë e Prizrenit nuk paraqet ndonjë prioritet kulmor, meqë një gjë e tillë së pari duhet zgjidhur në tërësi në objektet e administratës lokale, ato arsimore e shëndetësore dhe në hapësirat e përbashkëta publike.