“Talia e Flakës” do të sjellë pesë shfaqje në Gjilan
Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, që mbahet në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2019”, edhe sivjet pritet të sjellë shfaqjet më të mira të realizuara kohëve të fundit e që janë me autorë shqiptarë.
Kështu në natën e parë më 23 janar do të jepet shfaqja “I ligu për mend”, e autorit Gjergj Fishta me regji të Altin Bashës e ku do të luajnë aktorët e Tetarit Kombëtar të Kosovës.
Më 24 janar do të jepet shfaqja “I vetëm në banesë” e autorit gjilanas Avni Shkodra, me regji të Natyra Kallabës, kurse do të luajnë aktorët e Tetarit të Gjilanit.
Në mbrëmjen vijuese, më 25 janar, në skenën e Tetarit të Gjilanit do të paraqitet Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana, i cili do të sjellë shfaqjen “Kreonët e Ballkanit”, autor dhe regjinë e së cilës e ka bërë Enver Petrovci.
Në natën e parafundit, më 26 janar do të jepet shfaqja e autorit Jeton Neziraj e titulluar “Hipokritët ose pacienti anglez” nga Qendra Multimedia dhe regjinë e së cilës e kanë bërë Blerta Neziraj dhe Agon Myftari.
Mbrëmja e fundit është e rezervuar për shfaqjen “Kur hana del” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt, me autor Ag Apolloni e me regji të Ben Apollonit.
Edhe sivjet do të jepen çmimet tradicionale të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, kurse edhe si viteve të kaluara pritet që për këto shfaqje interesimi i publikut të jetë i madh. /InfoKomuna/