U promovua libri "Vepra" i autorit Hysen Ibrahimi

MitrovicëPostuar: 15:24 / 05.01.2016

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi e përgëzoi Ibrahimin për librin e botuar, tha se autori Hysen Ibrahimi është një nga veprimtarët më të devotshëm nga komuna e Mitrovicës, që është angazhuar për të ndihmuar Mitrovicën dhe Kosovën në momentet më të vështira dhe më kritike për të.

Është promovuar libri me vlerësime, opinione, intervista dhe recensione “Vepra”, të autorit nga Mitrovica, Hysen Ibrahimi, një veprimtar i devotshëm që tani e 28 vjet jeton, punon dhe krijon në Suedi.

DSC_0442.JPGDuke folur për autorin, Hysni Syla ka thënë se Hysen Ibrahimi, është njëri nga qindra e mijëra shqiptarë që u detyruan të emigrojnë në vende të ndryshme të botës dhe i cili, për dallim nga shumica prej tyre, nuk qëndroi atje vetëm sa për të sigurua një kafshatë buke për veten e familjen e tij, por kreu me sukses shkollimin në fushën e informatikës dhe të politikës ndërkombëtare, si dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhua në veprimtari të ndryshme për të mirën e shqiptarëve dhe të Kosovës.
 
“Hysen Ibrahimi dhe shumë mitrovicas e bashkëkombës të tjerë,   me veprimtarinë e tyre të palodhshme po lënë gjurmë në kulturën tonë të përgjithshme kombëtare, por edhe në kulturën e shtetit ku jetojnë dhe veprojnë, pra të Suedisë. Ai është njëri ndër më të merituarit për punën e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI–Albani në Suedi, kryetar i së cilës është aktualisht, në mandatin e dytë dhe njëri nga themeluesit, e Lidhjes së Krijuesve për Mërgatë, ku është nënkryetar”, tha Syla.
 
Ai në vazhdim tha se krahas veprimtarisë së lartpërmendur, autori Hysen Ibrahimi u mor edhe me shkrime dhe se deri tash ka botua veprat “Solidariteti i Mërgatës Shqiptare në Suedi”; “Kosova në Zemrën e Mërgatës në Suedi”; “Mërgata për Arsimin në Vendlindje” dhe librin “Vepra”.
 
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi e përgëzoi Ibrahimin për librin e botuar, tha se autori Hysen Ibrahimi është një nga veprimtarët më të devotshëm nga komuna e Mitrovicës, që është angazhuar për të ndihmuar Mitrovicën dhe Kosovën në momentet më të vështira dhe më kritike për të.
 
“Hysen Ibrahimi është nj veprimtar i devotshëm, i cili edhe pse jeton që prej vitesh në Suedi, bashkëjeton me hallet dhe problemet e bashkëqytetarëve dhe qytetit të tij, vështirësi këto për zhdukjen e të cilave Hyseni është  angazhuar në mënyrë konkrete dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm”, ka thënë kryetari Bahtiri.
 
Recensentja e librit, krijuesja nga Maqedonia, zonja Sadije Aliti, tha se Ibrahimi me këtë libër shpalos të djeshmen e të sotmen, që me veprimtarinë e tij të përcjell një porosi për të nesërmen.
 
“”Porosia është e qartë, shumë sublime, për shumë breza  gjeneratash, të kohës së tij e të kohës para tij, se ‘puna e veprimtaria jonë me vite është e grumbulluar, e shënuar në letër, andaj nuk mund të lihet anash”, tha ndër të tjera Aliti.
Recensenti tjetër, Fidan Baliu, sde autori, përveç që admiron figurat kombëtare, ai edhe zhvlerëson disa fenomene prapanike, që i sjellin dëm shoqërisë sonë.
 
DSC_0475.JPG“Ai në mënyrë të thuktë e urren hakmarrjen e mbështetur në Kanun, pasi që siç thotë, një njeri krejt i pafajshëm mund të bjerë viktimë për fajin e tjetrit, kinse për të ndarë drejtësi”, tha ai.
 
Ndërsa recensenti i tretë, Muhamet Ibrahimi, tha se librat e Hysen Ibrahimit janë shndërruar në sinonim të vet autorit dhe tregojnë qartë për jetën e tij, duke përfaqësuar denjësisht veprimtarinë e tij, e cila është gjithanshme.
 
“Libri është  një vepër e realizuar mirë, ka një gjuhë të pasur dhe është mirë e organizuar. Është e ndarë në katër kapituj, ku secili përmban tema të ndryshme dhe emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme me veprat e tyre. Nga titulli i kësaj vepre vërejmë se autori ka vullnetin dhe zotësinë t’u qaset temave të ndryshme që janë me rëndësi e interes për çështjen kombëtare”, ka thënë ai.
 
Në këtë event është promovuar edhe libri me poezi “Klithmë nate”, të autores Mone Juniku, që të dyja botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI–Albani në Suedi.
 
Për këtë  vepër ka folur recensenti Agim Desku, i cili tha se në artin poetik te ky vëllim frymon bukur poezia njerëzore, ku shkrihen mrekullueshëm ekzistenca e të gjitha kohëve dhe ngjyrave, gjallon bukur realiteti objektiv me të gjitha thyerjet, rëniet, digresionet, kthesat, dramat dhe dyzimet ekzistenciale.
 
Në sallën ku është bërë promovimi, piktorja e talentuar Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë, kishte ekspozuar pikturat e saj me motive të ndryshme, që u pëlqyen shumë nga të pranishmit.